Osmani viziton Kompleksin Memorial “Adem Jashari”: Në kohët më të errëta, ata ndezën dritën e shpresës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke nderuar figurën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, shkruan Ekonomia Online.
Në homazhe, Osmani theksoi rëndësinë e qëndresës heroike të Jasharajve gjatë marsit të vitit 1998, të cilët, nga plumbi i parë deri në fund, nuk u thyen, por përqafuan pavdekësinë.
Ajo lavdëroi veprën dhe sakrificat e familjes Jashari, të cilët ende mbeten simbol i shpresës dhe forcës për lirinë e Kosovës.
“Sot si çdoherë, në homazhe në kompleksin memorial në Prekaz dhe në vizitë në kullën e Jasharajve te Baca Rifat. Nga plumbi i parë e deri te qëndresa heroike e marsit 1998, komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari nuk u thyen, nuk u zmbrapsën, por përqafuan pavdekësinë. Ata edhe sot mbeten dritë udhërrëfyese për rrugën tonë përpara.
Në kohët më të errëta, ata ndezën dritën e shpresës. Në sfidat më të mëdha, ata gjetën forcën për të ecur përpara. Në momentet kur liria dhe e ardhmja e Kosovës u vunë në pikëpyetje, ata u bënë përgjigjja, u bënë mburoja dhe zemra e këtij vendi”, ka thënë Osmani.