Pacolli për Hotel Grand: 6.7 milionë eurot janë të miat, jo të shtetit – u grabitën sepse refuzova të paguaj ryshfet

Pacolli për Hotel Grand: 6.7 milionë eurot janë të miat, jo të shtetit – u grabitën sepse refuzova të paguaj ryshfet

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me çështjen e Hotel Grandit, pasi Qeveria e Kosovës ndau 6.7 milionë euro për kompaninë e tij, “Mabco Construction”, pas fitimit të një gjyqi në arbitrazhin ndërkombëtar në janar.

“Nuk e di pse disa më akuzojnë sikur po i marr shtetit të Kosovës 6.7 milionë euro. E vërteta është ndryshe: unë vetëm po rikthej mjetet e mia, të cilat ‘njerëzit e fortë’ të këtij shteti m’i kanë rrëmbyer padrejtësisht në emër të shtetit,” ka deklaruar ai.

Pacolli theksoi se paratë i përkasin atij dhe jo shtetit, duke akuzuar individë të korruptuar për grabitjen e tyre.

“Këto 6.7 milionë euro nuk janë të shtetit, por të miat – të grabitura vetëm sepse refuzova të paguaj ryshfet njerëzve të korruptuar, të cilët ishin mësuar të zhvatnin duke përdorur dorën e pushtetit. Këta njerëz u denoncuan, por unë nuk gjeta drejtësi në asnjë instancë gjyqësore në Kosovë. Drejtësia erdhi vetëm pas 18 vitesh në arbitrazhin ndërkombëtar,” ka shkruar ai në Facebook.

Pacolli tha se zyrtarë të qeverisë aktuale kanë ushtruar presion ndaj tij dhe kanë përdorur gjuhë denigruese gjatë procesit, duke e kërcënuar dhe shpifur kundër tij.

Për këtë arsye, ai ka nisur një tjetër proces ligjor për mbrojtjen e dinjitetit të tij.

“Unë po rikthej vetëm ato që më takojnë! Asnjëherë nuk kam pretenduar të marr diçka që nuk është e imja!” – theksoi ai.

Pacolli rikujtoi qëndrimin e tij kundër korrupsionit dhe zhvatjes, duke vënë në dukje se mbi 95% e pronave që ka blerë në Kosovë kanë qenë nga pronarë privatë dhe jo nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Ai e cilësoi AKP-në si një institucion të “korrupsionit të legjitimuar”.

Gjithashtu, ai përmendi kontributin e tij për Kosovën në 15 vitet e fundit, duke pohuar se ka dhuruar mbi 40 milionë euro për ndihma humanitare, ndërtim shtëpish për familjet në nevojë, mbështetje për studentët dhe të sëmurët, si dhe për rindërtimin e objekteve publike dhe të trashëgimisë kulturore.

“Madje, kam financuar edhe rindërtimin e objekteve kyçe të institucioneve të Kosovës – përfshirë edhe për ata që sot më shajnë e më fyejnë,” përfundoi ai./Telegrafi/