-PAK FJALË PËR HISTORIKUN E MANIFESTIMIT TRADICIONAL-DITËT E LIDHJES”-Shkruan: Berat BATIU

——————-

                       Manifestimi letrar “Poeziada”, i cili u mbajt për herë të parë në vitin 1992 në Prizren, ka qenë një ngjarje e rëndësishme në jetën kulturore të Prizrenit dhe më gjerë. Nga viti 1997, me propozimin e sekretarit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kryesisë së klubit letrar “Fan Noli”, ky manifestim u emërtua “Ditët e Lidhjes”, për të nderuar dhe kujtuar ngjarjen e madhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në vazhdim mund të lexoni fjalimin e sekretarit të Lidhjes së Shkrimtareve të Kosovës, Milazim Krasniqit, të mbajtur në orën qendrore letrare të vitit 1997:

“Nga ky manifestim simpatik letrar mund të nxjerrim një mbresë të përbashkët, që ky manifestim ka shanse të mbijetojë dhe të shndërrohet në një ngjarje shumë të rëndësishme në hartën e shumë manifestimeve kulturore dhe letrare të Kosovës.

Një arsye tjetër që na bën të besojmë në këtë është se Prizreni është njëri nga qytetet më të rëndësishme të tokave shqiptare, me një histori të lavdishme dhe me një traditë të jashtëzakonshme. Për këtë arsye, të gjithë krijuesit e Kosovës dhe të gjithë krijuesit e botës shqiptare në çdo kohë dhe me dëshirë do të merrnin pjesë në manifestimet që do të organizoheshin në Prizren.

Për këtë arsye, Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, në bashkëpunim me klubin letrar Fan Noli, dhe unë shpresoj edhe me institucione të tjera shoqërore dhe kulturore të Prizrenit dhe të Republikës së Kosovës, kemi menduar që vitin e ardhshëm këtë manifestim ta ngremë në nivel republikan dhe ta shndërrojmë në një takim multikulturor, duke përfshirë aktivitete letrare, muzikore, ndoshta edhe të aktiviteteve të tjera të ndryshme. Mbetet që ky projekt të rrumbullakohet dhe të marrë miratimin edhe nga subjektet tjera.

Mendoj se kjo iniciativë që kemi bashkë, (Shoqata dhe klubi) dhe plot dashamirës të artit këtu në Prizren, do të na ndihmojë të ndërtojmë një institucion të rëndësishëm letrar dhe kulturor, i cili do të jetë të paktën në një nivel që të jetë një shenjë nderimi dhe kujtimi për ngjarjen e madhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Edhe sikur të donim të harrojmë diçka nga e kaluara jonë, janë ngjarje si kjo e Lidhjes që na rikthejnë me vlerat dhe rëndësinë e saj. Prandaj e kemi për detyrë që manifestimi i ardhshëm të jetë vërtet dinjitoz, në përputhje me rëndësinë historike që ka Lidhja e Prizrenit, nga e cila do të huazojmë emrin për manifestimin e ardhshëm, që do të quhet “Ditët e Lidhjes”. Uroj që vitin e ardhshëm të jemi të gjithë bashkë, shëndosh dhe në numër më të madh dhe në Republikën e lirë të Kosovës”./www.QendraPress.com/