Partia Demokratike e Kosovës në përballje me padrejtësitë e Gjykatës Speciale dhe thirrja për drejtësi dhe veprim kombëtar!Shkruan :Hisen BERISHA,Deputet i Parlamentit të Kosovës
Ndërsa Partia Demokratike e ka fokusin qëndron tek përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme të datës 9 shkurt 2025, një çështje me rëndësi jetike për shtetin dhe dinjitetin kombëtar po thellohet çdo ditë: trajtimi i padrejtë i ish-themeluesve të institucioneve të Kosovës nga Gjykata Speciale. Gjykimi i ish-themeluesve të institucioneve, Ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, së bashku me shumë bashkëluftëtarë të UÇK-së, janë bërë viktima të një gjykate që ka humbur sensin e saj themelor për drejtësi dhe kredibilitet dhe është kthyer në një padrejtësi të vazhdueshme. Pavarësisht qëllimit të deklaruar për të sjellë drejtësi dhe për të luftuar perceptimin ndërkombëtar mbi luftën çlirimtare të Kosovës, Gjykata Speciale ka devijuar nga misioni i saj. Akuzat e reja të iniciuara dhe arrestimet e fundit tregojnë një përpjekje të vazhdueshme për të kriminalizuar luftën çlirimtare të popullit të Kosovës dhe themeluesit e saj institucionalë. Ky proces nuk mbështetet në fakte të qëndrueshme, por duket më shumë si një projekt politik që ushqehet nga ndikime të jashtme. Fakte tronditëse që minojnë kredibilitetin e Gjykatës, janë të pamohueshme. Raporti i Dick Martyt, mbi të cilin Gjykata Speciale është ndërtuar, u cilësua nga prokurori Clint Williamson si i pabazuar për ngritje akuzash. Gjithashtu, prokurori Jack Smith, i cili drejtooi akuzat aktuale, është i përfshirë në dyshime për korrupsion me qaraqe edhe antiamerikane, sipas një raporti të CIA-s, duke ngritur pyetje serioze për etikën dhe integritetin e këtij procesi gjyqësor. Këto elemente hedhin hije të mëdha mbi legjitimitetin e gjykatës, duke e kthyer atë nga një mekanizëm për drejtësi në një vegël për qëllime politike që godet vetëm njërën palë shqiptarët dhe shpërfill krimet serbe në Kosovë. Duke pasur parasysh këto rrethana, vlerësoj se Partia Demokratike e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa konkretë në Kuvendin e Kosovës, për të sfiduar më tej kredibilitetin dhe drejtësinë e kësaj gjykate. Një nismë parlamentare për të adresuar këto shqetësime tek institucionet ndërkombëtare dhe për të kërkuar një rivlerësim të mandatit dhe praktikave të Gjykatës Speciale është thelbësore. Përveç veprimit parlamentar, duhet të mobilizohet edhe populli i Kosovës. Një revoltë paqësore dhe mbarëkombëtare, me moton “Drejtësi për të pafajshmit – Jo padrejtësisë politike”, mund të jetë një mënyrë për të dërguar një mesazh të qartë bashkësisë ndërkombëtare. Kjo gjykatë nuk ka më legjitimitet për të vendosur drejtësi, dhe populli i Kosovës nuk mund të pranojë më tutje shtrembërimin e historisë së tij çlirimtare. Në këto momente kyçe për Kosovën, Partia Demokratike e Kosovës duhet të qëndrojë në ballë të mbrojtjes së dinjitetit kombëtar dhe të luftojë kundër çdo padrejtësie që cënon historinë dhe të ardhmen e saj. Lufta për drejtësi nuk është vetëm për individët në Hagë, por për çdo qytetar të Kosovës që beson në të drejtën e popullit tonë për liri dhe pavarësi./www.QendraPress.com/