Partitë politike të Kosovës – origjina, vizioni, programet dhe shfrytëzimi i tyre në fushata zgjedhore -Shkruan;Ruzhdi GASHI, avokat

Partitë politike në Kosovë, tashmë e kanë luksin të veprojnë dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre politik në një vend të lirë dhe të pavarur. Këto rrethana u krijuan falë sakrificës së brezave të tërë, që për shekuj me radhë jetuan nën pushtime të ndryshme, dhe sidomos falë luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjakut të dëshmorëve të lirisë.

Si kudo në botën demokratike, edhe në Kosovë partitë politike kanë origjinën e tyre, trungun shoqëror dhe themeluesit që u dhanë atyre identitetin fillestar. Ky identitet shpeshherë quhet “ADN politike” dhe është elementi përmes të cilit ato legjitimojnë veprimtarinë e tyre.

• LDK – ADN-në e ka në prishjen e Lidhjes Komuniste të Kosovës dhe në fillesat e demokracisë gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet ’90, me liderin historik Ibrahim Rugova.

• PDK – ADN-në e saj e ka në UÇK. Pas vitit 1999, Drejtoria Politike e UÇK-së u transformua në parti politike, me Hashim Thaçin si themelues dhe lider të saj.

• AAK – e formuar nga Ramush Haradinaj, është një derivat i PDK-së, i dalë nga pakënaqësitë brenda saj.

• Nisma – u krijua nga Fatmir Limaj, po ashtu si fraksion i dalë prej PDK-së.

• LVV – ADN-në e ka në grupimin KAN (Kosova Action Network), të pasluftës, i cili veproi fillimisht për të krijuar kushte për normalizimin e marrëdhënieve ndëretnike, me theks të veçantë në raportet me komunitetin serb. Lëvizja më vonë u shndërrua në parti politike nën udhëheqjen e Albin Kurtit.

Pra, çdo parti politike e Kosovës buron nga një trung shoqëror e politik, dhe në fushata elektorale ose në aktivitetet e përditshme, ato shpesh thirren në këto rrënjë dhe në figurat e para të tyre. Kjo është normale dhe e natyrshme, sepse një parti nuk mund të kuptohet pa historinë e saj, pa origjinën dhe pa themeluesit.

Kriza e vizionit dhe deformimet politike

Problemi fillon aty ku partitë, në mungesë të vizionit dhe të programeve të qarta zhvillimore, thirren vetëm në liderët shpirtërorë apo në ADN-në e tyre historike. Kjo formë e politikës prodhon udhëheqës pa ide, burokratë të zhytur në rutinë, të cilët e përdorin trashëgiminë e partisë si mjet për të ruajtur pushtetin e tyre personal. Në këtë fazë ndodh edhe degradimi i partive, shndërrimi i tyre në mekanizma të mbyllur dhe rënia e tyre në mashtrim politik ndaj qytetarëve.

Një parti politike duhet të jetë krijuese, me vizion të qartë për shoqërinë dhe shtetin. ADN-ja historike duhet të shërbejë si bazament moral dhe identitar, por jo si alibi për mungesën e ideve. Lidershipi i një partie duhet të ketë aftësinë të prodhojë program, të japë orientime zhvillimore dhe të përshtatet me rrethanat e kohës. Vetëm kështu një parti mbetet e gjallë, aktive dhe kontribuuese për të ardhmen.

Kosova, fatkeqësisht, sot përballet me mungesën e një lidershipi që trashëgon dhe zhvillon vizionin e shtetndërtimit. Dikur Ibrahim Rugova dha orientimin e parë për pavarësinë dhe subjektivitetin politik ndërkombëtar të Kosovës me orientim euroatlantik me miqësi të përhershme me SHBA.

Pas tij, Hashim Thaçi ndërtoi vizionin e çlirimit, pavarëdisë, forcimit të shtetit dhe integrimit të tij në OKB, NATO dhe BE. Por i pari nuk jeton më, ndërsa i dyti mbahet në Hagë, pikërisht për shkak të rolit të tij vendimtar në shtetndërtimin dhe vizionin që kishte për ta bërë Kosovën një shtet të fortë dhe të integruar në strukturat euroatlantike.

Sot, pa lidership të qartë, me vizion dhe program shtetformues, Kosova rrezikon ngecje, si në nivelin e shtetit qendror, ashtu edhe në atë lokal. Partitë politike shpesh merren më shumë me luftëra të brendshme, me ruajtjen e pozicioneve personale dhe me mobilizimin e votuesve përmes emocioneve historike, sesa me krijimin e programeve konkrete për zhvillim ekonomik, drejtësi funksionale, mirëqenie sociale dhe integrim ndërkombëtar.

Populli ynë thotë:

“Për një njeri shkon shtëpia, për një njeri shkon katundi, për një njeri shkon shteti.” Kjo shprehje popullore tregon më së miri rëndësinë e lidershipit në çdo nivel. Pa udhëheqës me vizion dhe integritet, asnjë parti nuk mund të ruajë gjallërinë e saj, e aq më pak të udhëheqë një shtet drejt së ardhmes.

Prandaj, sfida kryesore e partive politike në Kosovë sot nuk është vetëm të mbrojnë ADN-në e tyre historike, por të ndërtojnë programe të qarta zhvillimore, të krijojnë liderë të rinj vizionarë dhe të japin përgjigje reale ndaj nevojave të qytetarëve dhe shtetit. Vetëm kështu Kosova mund të ecë përpara drejt forcimit të shtetit dhe integrimit të plotë ndërkombëtar.

Kosova, ashtu siç ka ditur të gjejë rrugëtimin e saj në periudha të vështira – nga okupimet e shumta deri tek lufta e lavdishme e UÇK-së dhe shpallja e pavarësisë – do të dijë të gjejë edhe rrugën dhe lidershipin e saj për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Populli ynë me të drejtë thotë: “Më lehtë është me fitu se me mbajt.” Shqiptarët e Kosovës e kaluan me sukses sfidën për liri, dhe me përkushtim, unitet e vizion do ta kalojnë edhe sfidën e ruajtjes dhe forcimit të saj.

Me 27 shtator 2025/QendraPress/