Pensionohet Dr. Naser Oskacak, ikona e Kirurgjisë së Prizrenit – nderohet nga kolegët

Sot, një moment i veçantë dhe emocional u shënua për stafin e Repartit të Kirurgjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.
Ata vizituan kolegun e tyre, kirurgun e njohur Dr. Naser Oskacak, për t’ia uruar pensionimin pas shumë viteve të përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm në shëndetësinë prizrenase.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, kolegët i shprehën mirënjohje për punën e palodhshme dhe profesionalizmin që e ka karakterizuar Dr. Oskacakun ndër vite. Për shumë prej tyre, ai ka qenë jo vetëm një profesionist i shkëlqyer, por edhe një mik i çmuar dhe figurë ikonike në historinë e kirurgjisë në Prizren. “Për mua personalisht, Dr. Naser Oskacak ishte emblema ikonike e kirurgjisë së Prizrenit, për të gjitha këto vite,” u shpreh Shpend Zajmi, njëri nga kolegët e tij
Stafi i repartit i uroi shëndet, jetë të gjatë dhe mbarësi në rrethin familjar, duke i shprehur respektin e thellë për gjithçka që ai ka dhënë për pacientët dhe komunitetin./Sinjali/