Pesha e Meritës/Shkruan: Bashkim HOXHAJ,analistë

Në një nga kafenetë e zhurmshme të Prishtinës, ku tymi i duhanit përzihej me fjalë të mëdha, ai po rrinte i ulur si mbi një fron imagjinar. Ishte një nga ata “triumfalistët” e pasluftës që mendonin se historia kishte filluar dhe do të përfundonte me ta. Me atë zërin e tij karakteristik, që kumbonte me një vetëbesim irritues, po fliste aq shumë sa po bëhej i bezdisshëm për njerëzit në tavolinat tjera.
I njoh të gjithë politikanët dhe vendimmarrësit e Kosovës, po thoshte ai, duke rrotulluar një libër të pashfletuar me një gjest mendjemadhësie Nuk lëviz asgjë pa u konsultuar me mua. U ktheva në Kosovë ta rregulloj politikën. Këta të rinjtë nuk dinë. Disa kanë ardhur nga një kulturë provincialiste, të tjerët nga mali, prandaj nuk kanë se si të dinë. Unë jam me përvojë ndërkombëtare. Çdo derë në diplomaci për çështje e Kosovës, e kam hapur unë.
Përballë tij në atë tavolinë po qëndronte Agoni. Ai po studionte në Univerzitetin e Prishtinës, kishte qenë një nga ushtarët më të rinj të UÇK-së. Një djalosh që ishte pjekur para kohe, duke dhënë madje dhe gjymtyrën për lirinë e vendit të tij. Mirëpo, dinjiteti i tij, i një luftëtari pa njërën këmbë po përballej me mizerjen e mbijetesës ekonomike.
Bac, nisi Agoni me një zë të qetë, duke e shikuar drejt në sy atë.
Kam nevojë për një punë. Nuk po zgjedhi, vetëm le të jetë punë që mund ta kryej. Nuk më prish gjë edhe nëse gjendet diçka me orar të kufizuar. Më duhet të nxjerrë ndonjë euro për nevojat e fakultetit. Shtëpinë e kam të djegur, vëllezërit po merren me mbajtjen e familjes dhe nuk po kanë shumë mundësi. Po dua tua lehtësoj pak edhe atyre financimin tim në studime. Unë nuk po të kërkoj ndihmë në formë lëmoshe. Meqë the se i njihni të gjithë, mbase mund të më ndihmoni ta gjej një vend ku mund të punoj. Do ta dija për nder.
Në atë çast, fytyra e vërtetë e “triumfalistit”, ajo e një mashtruesi dhe manovruesi të pamëshirshëm, u shpërfaq në gjithë shëmtinë e saj. Përgjigja e atij të marri të pa ndërgjegjshëm ishte kulmi i mizerjes morale:
Meqë nuk paske para, i tha ai me një pafytyrësi që të ngrinte gjakun. Merri librat e mi, dil e shiti në rrugë dhe diçka të mbetet edhe ty !
Agoni për një çast heshti. E vështroi me një lloj mëshire që vetëm dikush që ka parë vdekjen në sy mund ta ketë për një kufomë morale.
U ngrit ngadalë, u mbështet në protezën e tij dhe doli nga lokali me hapin e rëndë të një çlirimtari që nuk pranon të bëhet lypës i egos së tjetrit.
Vitet rrodhën dhe jeta ndonjëherë tregohet gjykatësja më e drejtë.
Agoni nuk doli në rrugë për shitur gjësende të vjetra, nuk u end me ca libra të një anonimi në letërsi , për t’i lutur njerëzit në rrugë që t’ia blinin . Ai mbaroi Fakultetin Juridik me sukses dhe u sistemua në një punë dinjitoze. Dhimbjen e tij, të vërtetat e luftës dhe krenarinë e një brezi, i ktheu në vargje duke u bërë një poet i njohur.
Ndërkohë, mburracaku mbeti në hije të harresës . Kur mashtrimet e tij nuk pinin më ujë në Kosovë, ai përfundoi rrugëve të Evropës, atje ku kishte qenë në kohën kur Kosova po përjetonte golgotën e shekullit XX.
Aii endet duke u ankuar se vendi i tij nuk po ia njeh “meritat e mëdha”. Ai që dikur i ofronte invalidit të luftës kur ishte student shitësin ambulant të rrugës, tani është vetë një lypës i një lavdie që nuk e pati kurrë.
Agoni ecën i qetë nëpër Prizren, Prishtinë, Tiranë, Mallakastër, Shkup, Tetovë, Ghakovë, Shkodër e gjetiu. I vetëdijahëm se këmba e tij e humbur është një gurë në themelin e lirisë, ndërsa mburrjet e atij që po kërkon lavdi të pamerituar do të treten si një pluhur i neveritshëm./QendraPress/