Policia: 14 automjete të përfshira dhe disa të lënduar nga aksidenti në Fushë Kosovë

Një aksident trafiku ka ndodhur në autostradën “Ibrahim Rugova”, konkretisht në Mazgit-Bresje, janë  përfshirë 14 automjete dhe janë lënduar disa persona.Këtë e ka konfirmuar për Reporteri.net zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili bëri të ditur se kjo rrugë është bllokuar përkohësisht.“Rreth orës 06:50 në autostradën Ibrahim Rugova, Mazgit-Bresje, sipas informatave fillestare është shkaktuar një aksident trafiku zingjiror ku janë të përfshira 14 automjete dhe si pasojë e aksidentit raportohet edhe për persona të lënduar”. “Kjo rrugë është e bllokuar përkohësisht, përderisa njësitet policore dhe ekipet emergjente kanë reaguar në vendin e ngjarjes për t’u marr me rastin dhe trajtimin e personave të lënduar. Apelojmë për kujdes gjatë vozitjes në këtë kohë me ngrica dhe mjegull, për të shmangur rastet e tilla”, ka thënë Hoxha.

 Policia bën thirrje: Vozitja në mjegull është e rrezikshme

Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes gjatë vozitjes, sidomos në prezencë të mjegullës ku zvogëlohet dukshmëria.Në një njoftim në Facebook, Policia ka kërkuar që shpejtësia e lëvizjes të mbahet nën kontroll dhe të përdoren dritat e mjegullës.“Përdorni dritat e mjegullës, nëse automjeti juaj i ka këto drita kjo ju ndihmon të ndriçohet rruga para jush dhe këto drita e bëjnë automjetin tuaj më të dukshëm për shoferët e tjerë. Mjegulla mund të krijojë një iluzion dhe t’i bëjë shoferët të mendojnë se po shkojnë më ngadalë seç janë, mbani vëmendjen, mos shpejtoni. Ngasja e automjetit me drita të gjata mund të reflektojë jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj, e cila gjithashtu e bën të pamundur që shoferët e tjerë t’ju shohin. Mbani nën kontroll shpejtësinë e lëvizjes”, thuhet në njoftimin policor. /Reporteri.net/.