Popullsia e Kosovës u zvogëlua për afro 18 mijë banorë në vitin 2024

Popullsia rezidente e Kosovës ka shënuar një rënie të konsiderueshme gjatë vitit 2024 me një zvogëlim prej 17,525 banorësh.

Kështu u bë e ditur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, sipas disa të dhënave zyrtare.

Sipas ASK-së, edhe pse vendi ka pasur një rritje natyrore të popullsisë prej 10,888 banorësh, bilanci i migrimit ndërkombëtar (migrimi neto) ishte negativ, në vlerën -28,413 banorë.

Kjo rënie u ndikua nga emigrimi i 37,451 personave nga Kosova dhe imigrimi i vetëm 9,038 banorëve gjatë të njëjtës periudhë.

Ndërkohë, ASK thekson se “vendbanimin (komunën) e tyre e ndërruan 21,513 banorë”.

Në fund të vitit 2024, popullsia e vlerësuar e Kosovës ishte 1,585,590 banorë rezidentë.

Në raport thuhet se të dhënat vjetore statistikore për popullsinë (demografinë) janë themelore për studimin dhe përcaktimin e një game të gjerë analizash duke përfshirë llogaritë kombëtare, punësimin dhe çështje të tjera socio-ekonomike.

ASK-ja thekson gjithashtu se “vlerësimi i numrit të popullsisë është domosdoshmëri, praktikë dhe standard që kërkohet të bëhet çdo vit nga institucionet zyrtare të statistikave të një vendi, për shkak se ndryshimet demografike midis dy regjistrimeve janë shpesh të theksuara”

Për më shumë detaje, raporti i plotë është i qasshëm në faqen zyrtare të ASK.