Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti ngushëllojnë ish-presidentin Thaçi dhe familjen e tij për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit

                   Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Haxhi Thaçit, babait të ish presidentit, Hashim Thaçi. Osmani tha se kontributi dhe dashuria e tij për atdheun, do të shndërrohen në udhërrëfyes dhe kujtime krenarie për të gjithë ata që e njohën.

 

“Me pikëllim mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të z. Haxhi Thaçi, babait të ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi.

Humbja e babait është dhimbje e pamatshme, e cila lë boshllëk të pazëvendësueshëm tek më të dashurit. Kontributi dhe dashuria e tij për atdheun, shpresoj të shndërrohen në udhërrëfyes dhe kujtime krenarie për të gjithë ata që e njohën.

Në emrin tim dhe në emër të popullit të Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta ish-Presidentit Thaçi, gjithë familjes Thaçi, si dhe miqve e të gjithë të afërmve të z. Haxhi Thaçi.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të! I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!”

Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një letër ngushëllimi, në emër të Qeverisë dhe të tij, ka ngushëlluar familjen Thaçi për humbjen e më të dashurit të tyre, Haxhi Thaçit. Për të ndjerin, kryeministri u shpreh se do të kujtohet gjithmonë për urtësinë e tij, respektin për të tjerët dhe dashurinë e madhe për vendin. “Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe timin ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta juve, dashamirëve të familjes suaj dhe miqve të ish-presidentit Hashim Thaçi”, thuhet në letër ngushëllim.