Presidentja Osmani e gatshme për konsultime me liderët e partive për ngërçin politik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur gatishmërinë e saj të plotë për t’u konsultuar me liderët e partive politike, në çdo moment që ata e konsiderojnë të nevojshëm. Deklarata është konfirmuar për Ekonomia Online nga këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, i cili bëri të ditur se Osmani ka qenë gjithmonë e hapur për dialog dhe koordinim me spektrin politik, veçanërisht në rrethana kur kërkohet stabilitet institucional. “Presidentja Osmani tashmë ka ofruar gatishmëri të plotë për konsultime me liderët e partive, kurdo që ata e shohin të nevojshme. Presidentja Osmani, nëpërmjet letrës drejtuar kryesuesit të seancës z.Avni Dehari, më 16 prill, tashmë u ka ofruar përfaqësuesve të partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë për konsultime kurdo që ata e shohin të nevojshme”, theksoi ai.