Prezantohet raporti për Kosovën: Komisioni Evropian rikonfirmon plotësimin e kushteve për liberalizim të vizave 
Komisioni Evropian publikoi Pakon e Zgjerimit për vendet kandidate dhe aspiruese për anëtarësim në BE. Prezantimi i paketës së zgjerimit 2022 u bë nga Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi. “Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Evropës dhe prioritet i yni”, ka thënë ndër të tjera komisioneri evropian. Në raportin për Kosovën, Komisioni qëndron prapa rekomandimit të vitit 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.Varhelyi ka thënë se raporti tregon se shteti ka bërë përpjekje për forcim të demokracisë, rendit e ligjit si dhe në luftën kundër korrupsionit.Sa i përket dialogut me Serbinë, ai ka thënë se kërkojnë konstruktivitet nga pala kosovare, ashtu siç e njëjta gjë pritet edhe nga Serbia. “Kosova ka treguar stabilitet politik dhe autoritetet kanë vazhduar të shprehin përkushtimin për integrimin në rrugën evropiane. Kosova ka bërë përpjekje për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe ka intensifikuar luftën kundër korrupsionit. Progres është bërë në disa fusha duke përfshirë tranzicionin në energjinë e pastër dhe inovacion. Përgjatë viteve do të dëshironim të shihnim përshpejtim të reformave të Kosovës në përputhje me agjendën e BE-së.Sa i përket liberalizimit ë vizave, Komisioni qëndron prapa rekomandimit të vitit 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Propozimi është ende pezull në Këshill. Sa i përket dialogut me Serbinë, ne kërkojmë që Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe po ashtu Beogradi të bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë Varhelyi. /Reporteri.net