Prof. Asoc. Dr. Afrim Avdaj, dr.sci Kirurg – Endoskopist, tërhiqet nga gara për drejtor të spitalit në Prizren, dhe porositë ’’ Shëndetësia humbet kur pazaret fitojnë mbi profesionalizmin’’

Pas këtij vendi ai   ka shkruar

NJOFTIM

Të nderuar kolegë, punonjës të Spitalit Rajonal të Prizrenit dhe qytetarë të Prizrenit,

Përkundër inkurajimit tuaj që të jem konkurrent dhe të rikthej Spitalin e Prizrenit në nivelin ku ishte – një spital që gjatë pandemisë u menaxhua si model në rajon dhe Evropë, bazuar në vlerësimin e ekipit të Institutit Robert Koch të Gjermanisë, si dhe të institucioneve vendore e ndërkombëtare, përfshirë ekipin e ekspertëve nga Lombardia e Italisë – ju falënderoj sinqerisht për inkurajimin dhe mbështetjen tuaj.

Gjatë kësaj periudhe, puna jonë u nderua edhe me titullin “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Kukësit, si shenjë mirënjohjeje dhe respekti për kontributin e spitalit tonë.

Gjatë drejtimit tim, Spitali Rajonal i Prizrenit u vlerësua si institucion model në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për performancë, duke përmbushur kriteret për akreditim ndërkombëtar dhe duke u konsideruar për t’u shndërruar në Qendrën e dytë Klinike Universitare në Kosovë.

Ky vlerësim u mbështet edhe në indikatorët e cilësisë, shërbimet e reja dhe projektet e inicuara gjatë kohës sonë, si:

• Shërbimi i Kardiologjisë Invazive,

• Spitali për Nëna dhe Fëmijë, Kirugji Vaskulare, Kirurgji Maksikofaciale, etj.

• Si dhe shumë projekte të tjera në shërbim të pacientëve dhe qytetarëve tanë.

Megjithatë, me keqardhje ju njoftoj se tërhiqem dhe nuk do të jem pjesë e konkurrimit për Drejtor të Spitalit Rajonal të Prizrenit.

Unë mbetem gjithmonë i gatshëm të jem pranë qytetarëve të Prizrenit dhe stafit tonë, në çdo sfidë që e pret shëndetësinë tonë publike.

Shëndetësia humbet kur pazaret fitojnë mbi profesionalizmin.

Me respekt,

Prof. Asoc. Dr. Afrim Avdaj, dr.sci

Kirurg – Endoskopist

/QendraPress/