Prof. Skender FERATI;- Së pari, të gjithë deputetët duhet të kuptojnë se janë pjesë e një tempulli të demokracisë , të quajtur “Parlament.

‘’QendraPress’’-Si e shihni tejkalimin e këtij ngërçi politik në Kosovë .A duhet tejkaluar kjo gjendje dhe si?

Prof. Skender FERATI :=’’Sa i përket pyetjes suaj lidhur me krizën politike në vendin tonë, unë ndaj këtë mendim: Së pari, të gjithë deputetët duhet të kuptojnë se janë pjesë e një tempulli të demokracisë , të quajtur “Parlament” , dhe duhet të kenë kujdes që interesi madhor i vendit të vihet përpara interesave të ngushta partiake, sidomos në një kohë kur vendet përreth nesh po përballen me trende të reja zhvillimore, sfida të brendshme dhe ndërkombëtare. Së dyti, është jetike të respektohen normat kushtetuese dhe ligjore, me theks të veçantë te “vota e fshehtë” si një nga format më të larta të demokracisë përfaqësuese. Kjo sepse ajo i jep deputetit mundësinë të shprehë ndërgjegjen e vet, pa presion politik ose partiak. Mendoj se një qasje e tillë do të ndihmonte në zhbllokimin e situatës aktuale dhe do të krijonte dinamika të reja brenda parlamentit, duke mundësuar më në fund konstituimin e tij. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, është se shkuarja në zgjedhje të reja do të ishte një opsion i padëshiruar dhe i dëmshëm, sepse do të dërmonte edhe më tej kredibilitetin e elitës politike, si përpara qytetarëve, ashtu edhe në sytë e faktorit ndërkombëtar. Zgjedhjet e reja do të përbënin pranim të dështimit për të gjetur një kompromis institucional dhe politik. Nga këndvështrimi im, ky ngërç politik buron më së shumti nga mungesa e vullnetit dhe seriozitetit nga ana e opozitës, e cila ka zgjedhur rrugën e bllokimit pa ofruar zgjidhje apo kompromis, ndonëse është e vetëdijshme se nuk ka fituar shumicën parlamentare dhe nuk ka ndonjë bashkëveprim të unifikuar politik për të justifikuar këtë qëndrim. Besoj se me një kompromis të arsyeshëm, opozita jo vetëm që do të ruante kapitalin e saj moral, ” nëse ka mbetur” por edhe do të fitonte vlerësimin e qytetarëve si një forcë e përgjegjshme, që e vendos interesin e shtetit përpara kalkulimeve afatshkurtra politike. /QendraPress/