Provimi i maturës nis me 18,800 nxënës, MASHTI vendos rregulla të rrepta anti-kopjim

      Sot po mbahet provimi i maturës shtetërore në të gjitha shkollat e mesme të larta në vend. Në këtë proces janë përfshirë mijëra maturantë, ndërsa autoritetet arsimore kanë ndërmarrë masa të shtuara për të garantuar mbarëvajtjen e testimit dhe për të parandaluar çdo formë të keqpërdorimit gjatë provimit, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, Betim Sylejmani, ka bërë të ditur se në këtë shkollë po testohen 142 nxënës nga shkolla të ndryshme të Prishtinës. Ai ka theksuar se përgatitjet janë bërë me kohë dhe se vëmendje e veçantë i është kushtuar ndalimit të përdorimit të telefonave.

“Si çdo vit, edhe në shkollën tonë mbahet testi i maturës ku janë të përfshirë 142 nxënës nga shkollat e ndryshme të Prishtinës. Përgatitjet janë bërë me kohë. Masa kryesore është paralajmërimi që nxënësit nuk kanë të drejtë të përdorin telefona apo të hyjnë me telefona në klasë. Në momentin që i përdorin brenda klasës, janë administruesit ata të cilët ndërmarrin masa, qoftë për largim apo diçka tjetër. Përndryshe, ata të gjithë janë të njoftuar nga shkollat, nga Ministria e Arsimit, drejtoritë komunale të arsimit, sepse zakonisht keqpërdorimet bëhen me telefona. Janë të paralajmëruar që ata mund të pësojnë me dalje nga testi nëse i përdorin telefonat”, deklaroi Sylejmani për Ekonomia Online.

Ai shtoi se një nga masat e reja që nga viti i kaluar është shpërndarja e nxënësve në mënyrë që të shmanget vendosja në një klasë të nxënësve nga i njëjti institucion apo e njëjta paralele.

“Që nga viti i kaluar, në vazhdën e ndryshimeve që i ka bërë MASHT-i rreth rregullimit të mbarëvajtjes më të mirë të testit, është një prej atyre masave që me një klasë prej 15 nxënësve nuk mund të qëllojnë asnjëherë nxënësit e klasës së njëjtë. Do të thotë janë të përfshirë të gjitha shkollat e Prishtinës, janë me një klasë, janë nxënës të ndryshëm – nuk janë nxënës as të shkollës së njëjtë por as të klasës së njëjtë”, tha ai.

MASHTI dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit kanë përsëritur rëndësinë e ndjekjes së rregullave dhe seriozitetin e provimit të maturës, i cili konsiderohet një hap kyç për të ardhmen akademike të nxënësve.

MAShTI bën të ditur se provimit do t’i nënshtrohen 18 mijë e 800 maturantë, kurse rezultatet do të bëhen publike më së largu deri më 30 qershor.