PSD pyet kryeministrin Kurti: Kur do të përjashtohet ministrja Nagavci
“990 ditë mungesa pa arsye” është mbishkrimi i Partisë Socialdemokrate në objektin e Ministrisë së Arsimit. Përmes këtij aksioni simbolik u kritikua ministrja Arbërie Nagavci, ku u tha se përgjatë tërë këtyre ditëve ka mungesa të paarsyeshme dhe nuk është përjashtuar nga shefi i saj, Albin Kurti.
Donjeta Demolli nga Partia Socialdemokrate, teksa komentoi rezultatet e testit PISA, tha se pushteti aktual gjatë mandatit të saj nuk ka asnjë lajm të mirë në fushën e arsimit.
“Në një rast normal, në një qeverisje normale kritikat ndaj pushtetit ishte dashur të drejtohen në dështimet e pushtetit, mirëpo ne këtu e kemi një rast special të pa precedentë të një ministre, e cila nuk ka dështuar sepse nuk ka provuar asgjë”.
“E kemi një ministre, e cila është 990 ditë në mungesë dhe këto mungesa i ka të paarsyeshme, është e pa përjashtuar ende nga kryeministri. Dhe pse po ndodh kjo edhe pse ne asnjë lajm të mirë në fushën e arsimit sot e tri vjet nuk e kemi marrë. Për më shumë që dje e morëm një lajm shumë të keq në raport me rezultatet e testit PISA dhe patëm një ministre, e cila paturpësisht në vend të marrjes së përgjegjësisë doli dhe gënjeu para qytetarëve”, deklaroi Demolli.
Ajo tha se Qeveria Kurti po tenton ta shtypë sindikalizimin dhe të disiplinojë mësimdhënësit kur ata kërkojnë paga më të larta.
Pas aktivitetit të PSD-së, Demolli tha para mediave se ministrja Nagavci e ka mbrojtjen e kryeministrit Kurti.
“Problemi kryesor në këtë rast është që ministrja e Arsimit, Nagavci nuk është vetëm. Ministrja e ka mbrojtjen e kryeministrit dhe pse ndodhë kjo? Kryeministrit nuk po i bëhet vonë për të zhvilluar këtë sektor sepse efektet, apo pasojat e këtij sistemi arsimor nuk i bart fëmija i tij e as ai vet. Kemi 990 ditë mungesë interesimi, kemi 990 ditë mungesa të paarsyeshme. Pyetja e PSD-së për kryeministrin është ‘kur do të përjashtohet ministrja Nagavci?”, përfundoi ajo.
Demolli shtoi se pushteti aktual nuk po realizon as premtimet që i kishte dhënë dikur.
“Premtimi kryesor i kësaj qeverisje që mbahet mend edhe që mund të themi që ishte një premtim i mirë- ndërtimi i 160 çerdheve ka dështuar është dështim spektakolar. I kemi vetëm katër çerdhe të ndërtuara deri më tani. Ky dështim e afekton edhe fëmijën, e afekton edhe pavarësimin e gruas edhe papunësinë edhe ekonominë e vendit, mirëpo e kemi një ministre e cila nuk punon tash e 990 ditë. Në universitet nuk ka ndërruar asgjë, përveçse ka degraduar gjendja”.
“Kemi buxhet më të ultë për universitet dhe kemi paga më të ultë për profesorët por i kemi ministrat të cilët i dërgojnë fëmijët e tyre në universitete private brenda dhe jashtë shtetit. Gjendja me testet shkollore është gjendje që e shfaq që kjo ministre është e pa interesuar dhe është e paaftë të bëjë çfarëdo veprimi i cili do të zhvillonte arsimi në Kosovë”, përfundoi ajo.
Ndryshe, Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit PISA-s për 2022. Kosova ka zënë vendin e 78-të nga 80 shtete pjesëmarrëse, duke pësuar rënie nga viti 2018 për 11 pikë. Vendi ka zënë pozitën 76 për lexim, 77 për shkencë dhe 74 për matematikë.