Qelaj: Procesi në Hagë po zhvillohet pa transparencë dhe pa garanci për drejtësi

      Zgjatjen e paraburgimit për të akuzuarit në Dhomat e Specializuara në Hagë, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, e ka cilësuar si të papranueshme dhe në kundërshtim me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së po zhvillohet me mungesë transparence dhe në rrethana që ngrenë dilema serioze për drejtësinë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Qelaj ka theksuar se institucionet vendore do të duhej të luanin rol më aktiv në monitorimin e procesit për të garantuar që po zbatohen standardet ndërkombëtare për një proces të drejtë dhe të barabartë.

“Po bëhen pesë vite nga kur ka filluar funksionimi i kësaj gjykate. Unë konsideroj që ka shumë dilema lidhur me atë se a po respektohen standardet për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Ka munguar një transparencë e kësaj gjykate për t’i dhënë përgjigje pyetjeve, shqetësimeve dhe dilemave të opinionit publik. Natyrisht janë çështje të ndërlikuara, delikate, të ndjeshme, për të cilat unë konsideroj që edhe institucionet vendore është dashur që të bëjnë më shumë në drejtim të monitorimit të këtij procesi gjyqësor, për t’u garantuar dhe për t’u siguruar që po garantohen dhe po respektohen këto standarde”, tha ai.

Një nga shqetësimet kryesore të Avokatit të Popullit është zgjatja e paraburgimit të të akuzuarve, që sipas tij bie ndesh me të drejtën për mbrojtje në liri dhe me vetë parimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Qelaj ka shtuar se një qasje e tillë krijon edhe një pasojë të dytë dëmton besimin në institucionet vendore dhe aftësinë e tyre për të garantuar mbrojtje të pavarur.

“Vetë fakti i zgjatjes së paraburgimit për kaq periudhë të gjatë kohore konsideroj që është kundërshtim me standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, cenon të drejtën e personave të akuzuar që të mbrohen në liri. Në anën tjetër, vendos në vështirësi edhe vetë institucionet e Kosovës, nga se shprehet një lloj mosbesimi për të siguruar çfarëdo forme tjetër të mbrojtjes në liri nga këto institucione”, tha ai.

Avokati i Popullit ka bërë të ditur se ka shprehur interesimin për ta vizituar të paraburgosurit në Hagë, për të ndjekur nga afër disa seanca gjyqësore dhe për të zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse.

“Nuk e di. Unë kam shpreh vullnetin tim me i vizituar të burgosurit në Hagë, me i monitoru disa seanca – me aq sa më lejohet kohë dhe mundësi – dhe me pas edhe një takim me vetë përfaqësuesit e gjykatës, Avokatin e Popullit atje dhe me mbrojtësin e viktimave, për me mujt me pas një pasqyrë të qartë dhe të plotë se çfarë po ndodh dhe pastaj së paku përmes qëndrimeve të mia publike me sqaruar opinionin lidhur me ato dilema dhe shqetësime që i kanë ngritur ndërkohë,” tha ai.