Qeveri me votat e Listës Serbe – Projekti më i rrezikshëm për shtetin e Kosovës-Shkruan;Gjeneral Hisen BERISHA.

(Albin Kurti po tenton të formojë qeverinë Kurti 3 me votat e Listës Serbe dhe përfaqësuesve të instrumentalizuar nga Beogradi. Një pakt i heshtur politik me Radoiçiqin dhe Vuçiqin po bëhet themel i ekzekutivit të ri)

Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, po tenton ta formojë qeverinë e re pa votat e partive shqiptare në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ajo po përpiqet të mbijetojë në pushtet përmes një formule të rrezikshme që përfshin deputetë të Listës Serbe dhe minoriteteve, duke u mbështetur në një marrëveshje të fshehtë që është përfolur nga vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Schwarz.

Deklarimet publike të tyre se katër deputetë të Listës Serbe do të “rrebelohen” për të votuar qeverinë Kurti 3, i japin vulë një procesi që e shndërron institucionin më të lartë ekzekutiv të Kosovës në produkt të një pazari politik me Beogradin dhe me kriminelin Milan Radoiçiq. Ketë kisha paralajmëruar në deklarimet e mia mediale, duke hedhur dyshimin e bazuar se të tilla marrëvrshje u bënë me Radojçiq edhe pas “Banjën ‘23” kundër kategorive të luftës. Parashikova që tre deputet serb do votonin, duke hequr paralele me tre deputetët e NISMAs që pritet të jenë pjesë e koalicionin qeverisës.

Pra, qeveria që synohet të formohet nuk është më as produkt i vullnetit të votuesve shqiptarë, as e ndonjë koalicioni të natyrshëm politik. Ajo është projekti më i rrezikshëm që i është bërë sovranitetit të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Pra, një qeveri e mbështetur në katër deri gjashtë deputetë të Listës Serbe dhe disa minoritarë të tjerë, që më herët dy prej tyre janë cilësuar si të instrumentalizuar nga strukturat e Beogradit.

Sipas skenarit të paralajmëruar, marrëveshja është negociuar në dy nivele: në terren me Radoiçiqin, përmes emisarëve të dërguar brenda LVV, dhe në planin strategjik me Beogradin, ku niveli më i lartë drejtues kanë rolin kyç.

Kjo tregon se projekti për ta mbajtur Kurtin në pushtet është ndërkombëtarisht i ndërthurur me interesat serbe dhe – për fat të keq – me tolerancën e faktorëve perëndimorë evropian.

Për më tepër, ky skenar po mbështetet edhe në një keqinterpretrim procedural për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Në mungesë të një kandidature të dytë nga partia e dytë fituese dhe pa rivotim, partia fituese – edhe nëse kandidati nuk është i saj, por i ndonjë partneri të koalicionit – ka të drejtën ta ofrojë kandidaturën. Nëse nuk zgjidhet në raundin e parë, vendi shkon në zgjedhje. Dhe kjo, për momentin, është shpresa për të shpëtuar Kosovën nga një qeveri që po projektohet të formohet me votat e Listës Serbe.

Nëse ky skenar realizohet, Kurti do të kthehet në kryeministër jo me përkrahjen e popullit, por si përfaqësues i interesave që më herët i ka quajtur armike të shtetit.

Ai do të jetë i varur nga votat e Listës Serbe dhe i detyruar të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2023 si, Planin Franko-Gjerman, marrëveshjen e Ohrit dhe Statutin e Asociacionit – dokumente që i japin veriut autonomi të plotë në kuptimin politik, territorial, kulturor dhe të sigurisë.

Pranimi i këtyre marrëveshjeve nuk ndodhi rastësisht. Që në shkurt të vitit 2023 Kurti e pranoi nenin 7 të Planit Franko-Gjerman, që përmes konceptit të vetëmenaxhimit hap rrugë për sovranitet paralel në veri.

Në tetor 2023 pranoi Statutin e Asociacionit, ndërsa në mars – në Ohër – përmbylli kapitullin e dorëzimit politik me pranimin e detyrimeve nga marrëveshjet antikushtetuese, pa njohje reciproke.

Kam paralajmëruar se aleatët evropianë të Kurtit, të cilët e mbështesin në emër të stabilitetit, kanë interes që ai të mbetet në pushtet për ta zbatuar këtë projekt deri në fund. Edhe zgjedhjet në SHBA janë pjesë e kalkulimit të Kurtit & Co: nëse fitojnë liberalët (Biden–Harris), implementimi do të ndodhë në vitin 2025; nëse fitojnë konservatorët (Trump), do të tentohet zbatimi i përshpejtuar. Por faktorë të brendshëm – si “Banja ‘23”, tërheqja nga “Defender 23”, krizat në Kuvend dhe tensionet në veri – e penguan implementimin, por jo pranimin e detyrimeve që rrjedhin nga këto marrëveshje.

Sot, për të mbetur në pushtet, Kurti dhe përkrahësit e tij janë të gatshëm të pranojnë gjithçka, përfshirë edhe votat e Listës Serbe. Kjo është fatura që paguhet për pushtetin e çdo kushti. Një fushatë që filloi me retorikë anti-serbe, po përfundon me pakt politik me Beogradin.

Kjo është drama e një Kosove që po shitet copë-copë, në emër të stabilitetit, për interesa të jashtme dhe me çmimin e lartë të shuarjes së sovranitetit të saj kushtetues./QendraPress/