Rasti i deputetit të Listës Serbe është simptomë, jo përjashtim.-Shkruan:Gjeneral Hisen BERISHA

Meqë drejtësia po vepron pas zgjedhjeve, dhe jo para tyre, nuk kemi të bëjmë me ligj, por me lojë.
Thirrja në prokurori e deputetit të sapozgjedhur të Listës Serbe, S. Simiç, për një rast të ndodhur më 16 qershor 2023, ngre pyetje serioze mbi besueshmërinë dhe integritetin e sistemit tonë të drejtësisë.
Nëse ka pasur dyshime të bazuara për urdhërim të dhunës ndaj gazetarëve, mosrespektim të emërtimit kushtetues të shtetit, e të tjera, pse nuk është ngritur aktakuza para zgjedhjeve?
Pse nuk u veprua me kohë, që atij dhe të tjerëve t’u pamundësohej garimi në zgjedhje, duke i përjashtuar ligjërisht nga kandidimi?
Organi i akuzës ka mundësinë të ngrejë pretendime ligjore deri në tre vite. Por kjo vonesë e qëllimshme ngre dyshime për një skenar të mirëmenduar politik, ku drejtësia nuk shërben si mburojë e shtetit, por si armë e pushtetit.
Është e dhimbshme të vihet në pikëpyetje roli i prokurorisë, por fakti që edhe ajo përdoret për skenarë politikë u dëshmua edhe me rastin e thirrjes së Kryeministrit Kurti për dëshmi në çështjen e “rezervave shtetërore”, dhe mosveprimin ligjor ndaj tij për mosrespektim të kësaj thirrjeje.
Kur një deputet merret në pyetje vetëm pasi është zgjedhur dhe supozohet se mund të ndikojë në krijimin e shumicës parlamentare, atëherë kemi të bëjmë me një manipulim të rrezikshëm institucional.
Përdorimi i drejtësisë për të ndikuar në konfigurimin politik dhe krijimin e qeverisë përbën një rrëshqitje të qartë nga demokracia drejt kontrollit autoritar.
Rasti i deputetit të Listës Serbe nuk është përjashtim nga standardet e demokracisë ligjore – ai është simptomë.
Na tregon se kemi një model të kalbur të qeverisjes, ku drejtësia nuk vepron në kohë për të parandaluar padrejtësinë, por vonon për të manipuluar zhvillimet politike.
Qeveria aktuale, me këtë rast, nuk po ndjek drejtësinë – po e përdor atë. Dhe më keq akoma: po e përdor në aleancë të heshtur me lojtarë që dikur i quante armiq të shtetit.
Ky veprim ndodh në një kontekst interesi të dyfishtë për qeverinë Kurti:
Të paraqitet si e papranueshme për serbët, duke ruajtur profilin nacionalist për konsum të brendshëm; apo
Të komprometojë partitë opozitare përmes letërkëmbimeve që ndërtojnë narrativën publike të bashkëpunimit nga pozita e saj, ndërkohë që subjektet e tjera paraqiten si refuzuese, duke tërhequr paralele se “janë në një linjë me serbët”.
Pra, në vend që të luftohen strukturat paralele serbe dhe ndikimi i Beogradit – siç ka konstatuar vetë Kurti – kemi të bëjmë me një bashkëpunim të heshtur mes qeverisë dhe lojtarëve të vjetër të skenës hibride politike.
Për këtë arsye, ai ka vënë në lëvizje edhe KSK-në – jo për reagim strategjik institucional, por për të mbuluar politikisht lojën e tij.
Nëse tensionet në veri, “incidentet me rrezikshmëri të lartë”, hyrja legale e oficerëve pelegrinë në Kosovë, apo edhe “nxitja e protestave në Serbi” nga ana e Kurtit – siç sarkazmon Vuçiq – përdoren sërish si pretekst për ndërhyrje ose për devijim të vëmendjes nga proceset politike në Prishtinë, atëherë rrezikojmë të hyjmë në një fazë të re të destabilizimit të kontrolluar, ku gjithçka shitet si patriotizëm, por në të vërtetë shërben për të mbuluar dështimet dhe përçarjet e brendshme.
E ardhmja e Kosovës nuk mund të ndërtohet mbi skenarë të vjetër dhe drejtësi të vonuar.
Shteti ligjor duhet të jetë real – jo selektiv.
Nëse pushteti vazhdon ta përdorë drejtësinë si instrument të skemave politike, atëherë nuk po shkojmë drejt Evropës – por drejt një rrethi vicioz të krizës dhe zhgënjimit qytetar.
Në këtë mënyrë, veriu nuk shndërrohet në fushëbetejë reale për sovranitet, por në platformë taktike për fitore të brendshme politike, ku edhe prokuroria, edhe struktura të tjera shtetërore, bëhen pjesë e këtij teatri politik./QendraPress/