Reportazh: Zhuri, fshati i kurbetçarëve.

                Fshati Zhur i Prizrenit është njëri ndër fshatrat më të mëdha në Prizren dhe në Kosovë. Ai shtrihet në pjesën në kilometrin e 12-të të rrugës Prizren –Kukës.
Ky fshat lidhë rrugët me Shqipërinë dhe regjionin e Gorës, Opojës dhe të Maqedonisë .“Si vendbanim është shumë i lashtë, por sipas të dhënave si emër Zhur del që nga viti 1331 dhe është karakteristikë se ky emër nuk ka pësuar ndryshime, ka ruajtur emrin Zhur”, tregon kryetari i fshatit Zhur Jakup Hoxhaj. Fshati Zhur shtrihet në një fushëgropë i rrethuar me kodra dhe male. Është fshat i tipit të dendur me një lartësi mbidetare mesatare prej 430 m.“Si zonë Kadastrale ka një sipërfaqe prej 4021 hektarësh dhe është më e madhe në Komunën e Prizrenit tregon Hoxhaj. Zhuri si pasuri natyrore ka gurin gëlqeror dhe drurin. Ka pyje të begatshme, kullosat, livadhet, ku kanë krijuar kushte të përshtatshme që të ketë të zhvilluar blegtorinë, një kohë të gjatë në Zhur i është kushtuar kujdes rritjes së kuajve, dhive, deleve gjedheve. Në Zhur ka qenë e kultivuar vreshtaria, prej rrushit me të madh  prodhohej lëngu i pekmezit e diku-diku edhe vera. Druri i bjeshkës së Zhurit është shfrytëzuar dhe shfrytëzohet për djegie dhe si lëndë ndërtimore (pisha e bjeshkës së Zhurit dikur përdorej në si lëndë për ndriçim.„bujashka“. Fshati ka edhe një klimë me verëra të nxehta e të thata dhe me dimra me reshje të bollshme. Fshati Zhuri sot, ka më shumë se 1500 objekte banimi duke i përfshirë edhe objektet afariste. Me numër të banorëve prej rreth 10 mijë. Në të kaluarën ka pasur emigrim të theksuar. Edhe fshatrat si Muradëm, Vlashnja dhe Kobajë janë banorë të Zhurit të cilët janë vendosur në ato vende dhe janë formuar si fshatra. Një lëvizje të theksuar të banorëve të Zhurit ka pasur edhe në drejtim të qytetit të Prizrenit. Në të kaluarën zhurjanët janë marr kryesisht me bujqësi dhe blegtori, bletari etj. Tani si burim kryesor të jetës kanë kurbetin. Thuajse çdo familje sot së paku ka një në kurbet. Fillimet e kurbetit drejtë shteteve të perëndimit kanë filluar aty ka vitet e 70-ta. Ndërsa lëvizja më e madhe është bërë gjatë viteve të 90-ta, para dhe pas lufte. Karakteristikë e kurbetit nga vitet e 90-ta është se kanë emigrua me familje. Llogaritet se në diasporë janë mbi 3000 zhurjan. Pra burimi kryesor i jetesës është puna e tyre dhe investimi në vendlindje. Një pjesë tjetër merren edhe me veprimtari të tjera. Janë hapur rreth mbi 100 biznese të ndryshme. Me të njohura janë Firma që merren ndërtimtari, me prodhime nga zhavorri si për prodhimin e blloqeve, kubëzave dhe elementeve tjera prej betoni, zdrukëthtar, lokale të ndryshe tregtare, restorante, hotele, kafiteri etj.Zhuri ka kanalizim, ujësjellës me rrjet të brendshëm të ri, ndriçim publik, shkollë të re, ambulancë të re, amfiteatri i ri në qendër të fshatit së bashku me një minipark,nënkalim të ri tek rruga në „Qafë të Zhurit“. Derisa Hoxhaj shpjegon se fshati ka probleme sidomos me furnizimin me ujë  të pijes,Banorët e Zhurit ankohen tepët për mungesën e  ujit , sidomos stinës së verës kur rriten nevojat për sasi të ujit. Banorët e këtij fshati pohojnë se verës këtu krijohet apoteoza e ujit të pijes.