Rreziku i standardeve të reja ndërkombëtare për Kosovën dhe çështjen shqiptare në Ballkan-Shkruan; Hisen BERISHA,analistë gjeostrategjik.

Në një kohë kur zhvillimet gjeostrategjike globale po ndryshojnë me shpejtësi, kur bota po përballet me tronditje të mëdha gjeopolitike dhe përpjekje për rishikim të rendit ndërkombëtar, çështja shqiptare nuk është një kapitull i mbyllur në Ballkan. Në këtë korrelacion, çështja e Kosovës është pjesë e betejës globale për ruajtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare.
Sinjali politik i Moskës
Vizita e fundit e kreut të Kishës Ortodokse Serbe, peshkopit Porfirije, në Moskë dhe takimi i tij me Patriarkun Kirill nuk mund të konsiderohet thjesht si një zhvillim fetar ceremonial.
Takimet e tij me udhëheqjen fetare dhe politike ruse, janë shumë më tepër sesa një akt simbolik fetar! Ato duhet parë si sinjal i qartë i një ofensive të re politike dhe diplomatike që synon të ndikojë direkt në çështjet e pazgjidhura në Ballkan, me fokus të veçantë mbi Kosovën.
Në vlerësimin tim gjeostrategjik dhe politik, është një aleancë fetare me dimensione gjeopolitike. Takimi i Porfirijes me Patriarkun Kirill e shënoi rikonfirmimin e një boshti strategjik të ndërtuar mbi baza fetare, kulturore dhe politike.
Kisha Ortodokse Ruse dhe ajo Serbe janë prej kohësh instrumente të politikës së jashtme të Moskës dhe Beogradit. Përmes bashkëpunimit të ngushtë kishtar, po përforcohet një rrjet ndikimi që synon të konsolidojë narrativën e Serbisë për Kosovën si “djep shpirtëror” të saj, duke kundërshtuar pavarësinë dhe sovranitetin e saj.
Ky pozicion bëhet më favorizues nga marrëveshjet që e kalojnë trashëgiminë ortodokse shqiptare në pronësi të kishës serbe, me theks me Planin Franko-Gjerman – pikën 7 – ku sanksionohet statusi i kishës serbe, dhe me implementimin e një vendimi të kontestuar gjyqësor për bartjen e pronave Manastirit të Deçanit, nga Qeveria e Kosovës në vitin 2024.
Vuçiç në Moskë më 9 Maj
Vizita e planifikuar e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Moskë më 9 Maj, është një dëshmi tjetër se ai dhe udhëheqja serbe synojnë të përfitojnë nga integrimet euro-atlantike dhe Perëndimi, pa e cenuar aleancën strategjike, historike dhe gjenetike me Rusinë. Ky udhëtim, i zgjedhur që të përkojë me festimet ruse të Ditës së Fitores, dëshmon qartë për një ekuilibër të dyfishtë, ku Beogradi luan rolin e “partnerit euro-atlantik” ndërsa ruan besnikërinë ndaj Moskës. Një veprim i tillë tregon se Serbia nuk ka ndërmend të sakrifikojë lidhjet e saj me Federatën Ruse, edhe pse pretendon se do të afrojë vendin me institucionet perëndimore.
Vuçiç dhe anulimi i vizitës në Uashington, sinjale dhe dilema
Vizita e paralajmëruar e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Shtetet e Bashkuara dhe pritja e mundshme nga administrata e Presidentit Trump, ishte interpretuar si pjesë e një strategjie të sofistikuar të Beogradit për të afruar veten me qendrat vendimmarrëse perëndimore, duke ruajtur njëkohësisht aleancën tradicionale me Rusinë. Ai kërkon të shfrytëzojë mbështetjen euro-atlantike për integrime ekonomike e politike, pa cenuar aleancën strategjike dhe lidhjet gjenetike historike me Rusinë. Ky ekuilibër i dyfishtë tregon qartë se Serbia kërkon të qëndrojë “në të dy anët e gardhit”, duke përfituar nga të dy pushtetet e mëdha njëkohësisht.
Por anulimi i takimit me Presidentin Trump, gjatë kësaj vizite në momentin e fundit, me justifikimin zyrtar të “sëmundjes”, ngre pikëpyetje serioze për përmbajtjen dhe dinamikën e raportit aktual Serbi–SHBA, por edhe për qëndrimet e brendshme në vetë administratën amerikane ndaj një protagonizmi të sforcuar të Vuçiqit në arenën ndërkombëtare.
Mesazhi që duhet ta lexojnë Kosova dhe vendet e rajonit është i qartë: ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë strategji të dyfishtë, të forcojmë unitetin tonë diplomatik dhe ekonomik, dhe të mos lejojmë që loja e interesave të mëdha të fragmentojë sovranitetin tonë dhe paqen në rajon.
Në planin më të gjerë, kjo situatë nxjerr në pah vështirësinë e Serbisë për të mbajtur ekuilibrin e dyfishtë mes Perëndimit dhe Lindjes. Beogradi po përpiqet të përfitojë njëkohësisht nga edhe afërsia me Brukselin dhe nga mbështetja strategjike e Moskës, duke u pozicionuar si faktor gjoja neutral, por në realitet është thellësisht i anuar nga aksi ruso-kinez.
Kosova dhe shtetet tjera të rajonit duhet ta lexojnë me vigjilencë këtë strategji të dyfishtë. Nevojitet unitet diplomatik, koordinim rajonal dhe përfshirje më e thellë në partneritetin me SHBA dhe BE, në mënyrë që të ruhet balanca e drejtë ndërkombëtare dhe të mos lejohet që heshtja e përkohshme e diplomacisë të shndërrohet në dëm të statusit të fituar me shumë sakrifica. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe koordinimit strategjik mund të mbrojmë arritjet tona dhe të ruajmë stabilitetin afatgjatë.
Pyetje kyçe për t’u analizuar
Në këto rrethana dilemat që duhen shtruar janë se:
– A është Rusia duke përdorur kishën serbe si mjet për të avancuar interesat e saj në Ballkan?
– A po përgatitet një përballje e madhe politike dhe diplomatike që mund të prekë edhe statusin e Kosovës?
– A është SHBA gati me një plan të ri për Ballkanin, që do të ruajë standardet e vendosura pas Luftës së Ftohtë, apo rrezikohet vendosja e një standardi të ri të padrejtë, që shpërblen agresionin dhe imponimin e realiteteve me forcë?
Kjo vizitë përkoi me pritjet tona, se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po përgatisin një plan të ri për Ballkanin, që synon stabilizimin dhe integrimin e plotë të rajonit në strukturat euro-atlantike.
Precedenti ukrainas dhe kërcënimi për Kosovën
Nëse Rusia arrin të normalizojë me marrëveshje të imponuara pushtimin e territoreve të Ukrainës, kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm edhe për rajonin tonë.
Serbia, e mbështetur nga Rusia, Kina dhe aktorë të tjerë autoritarë, do të pretendoj që me të njëjtën logjikë ta mbaj të hapur dhe të kontestuar statusin e Kosovës, pavarësisht njohjes ndërkombëtare dhe pavarësisë së fituar me mbështetjen e SHBA-së dhe vendeve të tjera demokratike, si dhe të konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.
Rreziqet direkte për Kosovën
Ky skenar i bazuar në forcë, agresion dhe gjendjen faktike – si rezultat i tyre, paraqet rrezik të madh për Kosovën, sepse:
– I lehtëson përpjekjet serbe për të rikthyer narrativën e sovranitetit mbi Kosovën. Meqë Marrëveshja e Ohrit e marsit ’23, nga Artikulli 35 – nga tre kushtet për integrim në BE të Serbisë: njohja e pavarësisë së Kosovës; heqja nga Kushtetuta e saj; dhe normalizimi i raporteve me Kosovën – ia heq për 10 vite dy të parat)
– Rrezikon të relativizojë të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje dhe mbrojtje nga gjenocidi, të fituara me luftën e UÇK-së, të garantuara nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 dhe të konfirmuara nga GJND.
• Krijon hapësirë për sulme të reja diplomatike dhe politike ndaj statusit ndërkombëtar të Kosovës.
Çështja shqiptare në Ballkan është ende një plagë e hapur
Çështja shqiptare në Ballkan mbetet ende e hapur. Shqiptarët vazhdojnë të jetojnë të ndarë në pesë shtete, të shpërndarë padrejtësisht nga vendime ndërkombëtare të bazuara mbi forcën dhe gjendjen faktike të krijuar nga pushtimet historike, dhe si rezultat i marrëveshjeve të padrejta ndërkombëtare të Shën Stefanit (1878), Berlinit (1878), Londrës (1913), dhe të pas Luftës së Dytë Botërore.
• Në Jugun e Serbisë (Kosova Lindore, Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, Prokuplje, Rashkë e deri në Nish) shqiptarët jetojnë nën diskriminim dhe mohim të të drejtave kombëtare, çka e bën Ballkanin një vullkan eruptiv që nuk mbanë më;
– Në Malin e Zi, territoret shqiptare nga Kotorri, Tivari, Ulqini, Hoti, Gruda, Plava, Gusia, Arzhanica, Berani e deri në Rozhaj janë ndarë dhe po i nënshtrohen një procesi të thellë të dehumanizimit asimilues dhe tehuajësimit.
• Në Maqedoninë e Veriut, e cila e ka më shumë se 50% të territorit historikisht shqiptar, që i është aneksuar Shqitërisë, për të vazhduar më pas me krijimin artificial të “Maqedonisë” nga komunistët rus dhe titist-jugosllavë.
• Në Greqi, shqiptarët e Çamërisë janë dëbuar me dhunë para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Arvanitasit i nënshtrohen një politike të heshtur asimilimi e dehumanizimi, duke mbajtur në fuqi ligjin absurd të luftës me Shqipërinë.
• Në trevat e Sanxhakut dhe Nishit, shqiptarët janë viktimë e spastrimeve etnike dhe margjinalizimit historik. Vazhdon tradita e tejhuajsimit nga identiteti autokton shqiptar në një identitet arbitrar si “mysliman” — që në etimologji gjenetike nuk është identitet kombëtar por fetar. Një strategji e trashëguar nga periudha titizmit, kur u krijua artificialisht identiteti territorial dhe etnik maqedon.
Prandaj, çështja e Kosovës nuk duhet parë thjesht si një rast i izoluar, por si pjesë e një beteje globale për ruajtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të rendit të bazuar në rregulla.
Rikthimi i doktrinës së “sferave të influencës”
Nëse Perëndimi nuk reagon me vendosmëri ndaj këtyre zhvillimeve, ekziston rreziku i rikthimit të doktrinës së vjetër të “sferave të influencës”. Një qasje e tillë do të rriste rrezikun që Kosova dhe viset shqiptare të shihen si pjesë e një zone gri, ku standardet ndërkombëtare nuk zbatohen njësoj si në vendet e tjera. Kjo do të ishte një goditje e rëndë për të drejtën ndërkombëtare dhe për të gjitha përpjekjet që janë bërë për të ndërtuar një rend botëror të bazuar në parimet e së drejtës dhe jo të forcës.
Çështja shqiptare si çështje gjeopolitike dhe drejtësie historike
Çështja shqiptare nuk është vetëm një çështje e të drejtave të njeriut dhe pakicave, por një çështje gjeopolitike që kërkon një qasje të re dhe të guximshme nga faktori shqiptar dhe nga aleatët strategjikë perëndimorë, sidomos SHBA-ja.
Nuk ka stabilitet në Ballkan pa zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare.
Sot, shqiptarët janë faktor stabiliteti, demokracie dhe euroatlantizmi në rajon. Ata janë partnerët më të besueshëm të NATO-s dhe SHBA-së. Por pa përmbushjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në të gjitha trevat e tyre etnike, çdo paqe do të jetë e brishtë dhe çdo bashkëpunim rajonal do të mbetet formal dhe i njëanshëm.
Domosdoshmëria e unitetit politik dhe diplomatik shqiptar
Në këtë kontekst, është thelbësore që Kosova dhe Shqipëria, bashkë me faktorin politik shqiptar në rajon, të forcojnë bashkëpunimin strategjik dhe të artikulojnë me qartësi dhe koherencë interesat e shqiptarëve.
Kjo përfshin:
– Unifikimin e qëndrimeve në politikën e jashtme;
– Thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe institucional;
– Koordinimin në raport me proceset integruese dhe me aleatët ndërkombëtarë;
– Ngritjen e kapaciteteve të diplomacisë kulturore, fetare, historike dhe akademike për të kundërshtuar narrativat e rreme të Serbisë dhe Rusisë;
– Promovimin e një strategjie të re për çështjen shqiptare që e konsideron Kosovën si qëndër graviteti të pavarur dhe Shqipërinë si garant të mbrojtjes së të drejtave shqiptare në rajon, në përputhje me Kushtetutën e saj.
Thirrje për veprim të bashkërenduar
Në këtë situatë të ndërlikuar, është jetike që Kosova dhe kombi shqiptar të ndërmarrin hapa të qarta dhe strategjike.
Ajo çfarë duhet të bëjnë shqiptarët në rrugën përpara përfshonë:
1. Koordinimi me SHBA-në dhe Perëndimin: Të forcojnë aleancat me SHBA-në dhe BE-në, duke thelluar integrimin euro-atlantik dhe duke intensifikuar lobimin diplomatik në të gjitha nivelet.
Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë një bosht të përhershëm strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bashkëpunimi me BE-në është i domosdoshëm, por nuk duhet të lejohet që të minojë aleancën me SHBA-në dhe as të përdoret për të vendosur standarde të dyfishta për shqiptarët. Marrëdhënia me SHBA-në është garancia më e madhe e paqes dhe mbrojtjes së interesit kombëtar shqiptar.
2. Platformë unike për të drejtat kombëtare: Të artikulojnë çështjen shqiptare si një problem ndërkombëtar të pazgjidhur dhe të kërkojnë adresimin e padrejtësive historike që rëndojnë ende mbi shqiptarët në Ballkan.
Një Platformë e tllë duhet të përfshij kërkesat legjitime të shqiptarëve në Kosovën Lindor/Luginën e Preshevës, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Çamëri. Kjo platformë duhet të jetë dokument zyrtar shtetëror i Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, dhe të promovohet në çdo forum ndërkombëtar si pjesë e paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit në rajon.
4. Denoncimi i standardeve të dyfishta: Të ndjekin me vëmendje çdo proces diplomatik që lidhet me Ukrainën, për të siguruar që zgjidhjet atje të mos krijojnë precedente të dëmshme për Kosovën.
Shqiptarët nuk duhet të heshtin përballë padrejtësive ndërkombëtare. Nuk mund të ketë dy standarde për pavarësinë e Kosovës dhe për integritetin territorial të Ukrainës. Nuk mund të kërkohet kompromis nga viktima, ndërsa agresori shpërblehet me status dhe fuqi. Një qasje e tillë do ta shndërronte të drejtën ndërkombëtare në një vegël të interesave të përkohshme politike dhe do të dëmtonte rëndë besimin në rendin global.
5. Ruajtja e subjektivitetit të Kosovës: Të koordinojnë veprimet mes Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në rajon, duke ndërtuar një platformë të përbashkët strategjike për të mbrojtur interesat kombëtare. Kjo nënkupton bashkim në veprim, në qëndrim dhe në përfaqësim ndërkombëtar. Kosova nuk duhet të lejojë devijime nga rruga e saj shtetërore dhe sovrane. Marrëveshjet ndërkombëtare nuk duhet të pranojnë barazi mes shtetit dhe një entiteti të brendshëm (siç është Asociacioni). Çdo pranim i tillë krijon rrezik për Bosnjëzim të Kosovës dhe për minim të subjektivitetit ndërkombëtar të saj.
Kjo vizitë nuk është një ngjarje e izoluar! Ajo është pjesë e një strategjie të gjerë për të sfiduar status quo-në në Ballkan dhe për të ndikuar në zgjidhjen e konflikteve në favor të forcës dhe jo të së drejtës.
E drejta pa forcë është “gandizëm”, prandaj forca nuk duhet parë si kategori autonome, por në kontekst më të gjerë të sigurisë dhe të aleancave të qëndrueshme ekonomike, politike dhe ushtarake.
Një kohë vendimtare për Kosovën dhe kombin shqiptar
Në përfundim, vizita e peshkopit Porfirije në Moskë, pritja e tij nga Patriarku Kirill dhe vizitat e Vuçiç në Uashington dhe Moskë janë sinjale të qarta se po formësohet një realitet i ri gjeopolitik.
Jemi përballë një momenti kritik në historinë tonë politike dhe kombëtare. Në një kohë kur fuqitë e mëdha po negociojnë territore dhe të drejta mbi bazën e forcës dhe pushtimit, shqiptarët nuk mund të qëndrojnë indiferentë.
Në përgjithësi kombi shqiptar, duhet të jenë të vetëdijshëm për këto zhvillime dhe të veprojnë me mençuri, vendosmëri dhe unitet për të mbrojtur arritjet e deritanishme dhe për të garantuar të ardhmen e tyre në një rend ndërkombëtar të bazuar në parime dhe jo në dhunë.
Kosova nuk është thjesht një çështje territoriale — ajo është një vlerë, një precedent, një betejë midis forcës dhe ligjit, midis dhunës dhe drejtësisë. Ruajtja e shtetësisë dhe pavarësisë së saj nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por mision historik i të gjithë shqiptarëve dhe i miqve tanë ndërkombëtarë që besojnë në liri, drejtësi dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje.
Çështja shqiptare nuk është vetëm një çështje e të drejtave të komuniteteve, por një çështje e drejtësisë historike dhe e sigurisë gjeopolitike në Ballkan. Shqiptarët, si kombi më i madh pa bashkim të plotë kombëtar në Evropë, përbëjnë faktor thelbësor për paqen afatgjate në rajon.
Nëse nuk mbrohen standardet e vendosura pas viteve ‘90 dhe nuk ruhet integriteti i arritur përmes luftës së drejtë të UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s, rrezikohet jo vetëm stabiliteti i Kosovës, por edhe rendi ndërkombëtar që refuzon imponimin e realiteteve me forcë.
Prandaj, kërkohet qasje strategjike e përbashkët shqiptare dhe ndërhyrje e fuqishme diplomatike e SHBA-së dhe BE-së për të garantuar se Ballkani nuk do të kthehet në një zonë eksperimentale të standardeve të dyfishta.
Liria e fituar me gjak dhe sakrifica nuk negociohet. Ajo mbrohet. Me vendosmëri, me dijeni dhe me aleanca të forta ndërkombëtare. Është koha të veprojmë me menquri, te koordinuar me aleeatet, jo të presim./QendraPress/