Serbi ,vlerësohet kërcënim për shqiptarët e Luginës së Preshevës

/Foto arkiv nga fb/

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Serbi ka shqetësuar shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kjo u komentua edhe në Kosovë nga ish-ushtaraku Hysen Gecaj e eksperti i sigurisë, Armend Halimi duke e vënë në pah rrezikun nga këto lëvizje.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Gecaj potencoi se këto lëvizje nuk janë vetëm provokim, por edhe përpjekje për t’i shtyrë shqiptarët të largohen nga trojet e tyre përmes presionit administrativ dhe ushtarak.

“Të gjitha veprimet që ndodhin në Serbi dhe që kanë të bëjnë me institucionet e sigurisë të cilat në njëfarë mënyre po shkojnë duke shtuar kapacitetet e tyre dhe duke dërguar mesazhe jo vetëm ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Bujanoc, Medvegjë dhe pjesët tjera të banuara me shqiptarë, por në përgjithësi edhe regjionet janë në fakt një farë mënyre kërcënim për stabilitetin në rajon. Për këtë arsye edhe NATO e cila është në Kosovë por edhe pjesët tjera në rajon, është e shqetësuar dhe i përcjell me vëmendje këto sjellje të ushtrisë serbe dhe vendimet që i merr politika serbe. Qytetarët e Luginës me të drejtë shqetësohen për këto lëvizje, janë të orientuara dhe të drejtuara kundër ekzistencës së tyre në atë pjesë të trojeve të tyre, për shkak se ne e dimë që edhe pa këto ushtrime ushtarake shteti serb ka marrë një varg hapash administrativ në mënyrë që shqiptarëve atje t’ua bëjë jetën më të vështirë dhe të largohen sa më shumë nga ai regjion”, potencoi Gecaj.

Ndërkaq, Halimi vlerëson se Serbia po përdor militarizimin si mjet frikësimi dhe përjashtimi të shqiptarëve nga institucionet, duke e cilësuar këtë si një formë të “spastrimit formal etnik”.

“Zhvillimet në arenën ndërkombëtare shënojnë një prej zhvillimeve, militarizimin e vendeve, është një prej periudhave që karakterizohet edhe me investime ushtarake, qoftë në aspekt teknik apo të burimeve njerëzore. Gjithherë kjo konsiderohet kur ka tendenca të rritjes së fuqisë ushtarake, konsiderohet si një çështje e cila provokon shtete tjera, sidomos ato të cilat kufizohen me marrëdhënie jo të mira dhe konsiderohen edhe si provokim. Në këtë rast Serbinë vetëm e kemi të dëshmuar me histori, andaj përveç kësaj se Serbia tenton të krijojë frikë apo pasiguri në rajon, megjithatë e ka edhe karakteristikën tjetër në mënyrë që shqiptarët atje t’i distancojë krejtësisht nga institucionet shtetërore dhe në një mënyrë t’i përjashtojë, siç kemi pasur me adresat duke i bërë jo valide. Ne konsiderojmë që kjo bëhet krejtësisht me një karakter politik, në mënyrë që të përjashtohen qytetarët shqiptarë nga ajo anë dhe të bëhet në njëfarë forme spastrim formal etnik”, ka deklaruar Halimi për EO.

Ditë më parë këtë shqetësim e ka ngritur deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

“Aktualisht, në Serbi, janë duke u bërë përgatitjet e fundit për futjen në funksion të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Kjo nismë ngjallë shqetësim te shqiptarët në Luginë të Preshevës për shkak të përvojave të dhimbshme historike në trajtimin diskriminues dhe tragjeditë e pësuara në të kaluarën nga të rinjtë shqiptarë që ishin në shërbim në APJ. Kujtesa kolektive e shqiptarëve është akoma e rëndë për ato pasoja tragjike.Prandaj, në procedurë parlamentare, sot, dorëzova  Propozimin për themelimin e një Komisioni të posaçëm, me mandat për të zbardhur rastet e vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) gjatë viteve ’80”, ka shkruar ditë më parë Kamberi.

Shumë nga këto raste, të regjistruara si “vetëvrasje”, “aksidente” apo “shkelje disiplinore”, u konsideruan të dyshimta nga familjet e viktimave, të cilat shpesh raportuan shenja dhune mbi trupat e kthyer/EO/.