Servilizmi i vjetër në petkun e ri-Shkruan-Gjeneral:Hisen BERISHA

Në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri, servilizmi ishte jo vetëm normë, por edhe mjet mbijetese. Gara për të qenë më i përkushtuari ndaj “partisë” dhe diktatorit, shpesh degjeneronte në absurditete tragjikomike, ku militantët përpiqeshin të tejkalonin njëri-tjetrin me propozime qesharake, duke u bërë karikatura të vetvetes. Në atë kohë, një byroist i flaktë propozoi që partia të quhej “Partia Leniniste Enver Hoxha”. Kur inicialet u shqiptuan me zë të lartë, e pesoi keq.
Sot, në Kosovën e qeverisur nga një klasë politike që ka trashëguar refleksin jugonostalgjik e neokomunist, servilizmi nuk është zhdukur—vetëm ka ndryshuar formë. Propozimi i fundit i Presidentes Vjosa Osmani për të hequr krejt taksën për mallrat amerikane është një shembull tipik. Në thelb, ideja është e drejtë dhe do të duhej të ishte politikë standarde e Kosovës—një mirënjohje praktike për aleatin më të madh strategjik. Por mënyra dhe koha kur është bërë ky propozim e shndërrojnë në një akt servilizmi klasik.
Ky nuk është një vendim i menduar dhe i mbështetur në parime strategjike të qëndrueshme. Përkundrazi, lexohet si një reagim afektiv ndaj një vendimi të Presidentit Trump për të pezulluar një ndihmë financiare për Kosovën. Pra, në vend që të jetë një politikë burimore dhe e natyrshme e Kosovës, duket më shumë si një përpjekje e vonuar për të riparuar dëmin, me shpresën se ndonjë zyrtar amerikan do ta lexojë këtë si një “shenjë të mirë”.
Por në politikën amerikane nuk ka vend për emocione impulsive. Aty nuk ka miqësi të përhershme, por vetëm interesa të përhershme—gjeostrategjike, ekonomike, dhe të sigurisë. Një qeverisje që sillet si nxënës i dëgjueshëm që kërkon të hyjë në zemrën e profesorëve të huaj nuk është as partnere serioze, as faktor i rëndësishëm.
Sot, kur lexojmë propozime të tilla, nuk mund të mos kujtojmë servilët e kohës së diktaturës, që propozonin absurditete për të fituar pak më shumë vëmendje nga lart. Asokohe, i gjori që doli me inicialet fatkeqe të partisë e pësoi keq. Në Kosovën e sotme, servilizmi nuk ndëshkohet, por promovohet dhe kjo është tragjedia jonë./QendraPress/