Shkon në 63 numri i të helmuarve në Malishevë, arrestohet dhe dërgohet në mbajtje pronari i lokalit

                         Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shkuar në 63 numri i personave që dyshohet se janë helmuar nga ushqimi që kanë ngrënë në një lokal në rrugën “Abdyl Mazreku”, në Malishevë.Në raport bëhet me dije se është arrestuar pronari i lokalit dhe se i njëjti është dërguar në mbajtje.“PRODHIMI, VËNIA NË QARKULLIM E ARTIKUJVE TË DËMSHËM USHQIMOR – Rr. Abdyl Mazreku-Malishevë,13.10.2023-16:48. Nga QKMF –Malishevë është raportuar se nga ora 16:48 e datës së lartcekur e deri në mesnatë ndihmë mjekësor kanë kërkuar rreth 63 persona nën dyshimin se janë infektuar nga ushqimi nga një lokal ushqimor në Malishevë, ndërsa tre prej tyre janë dërguar në QKUK-ë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.Drejtori i QKMF-së në Malishevë, Afrim Krasniqi, ka bërë të ditur se numri i të helmuarve në Malishevë, ka shkuar në 61, ndërsa ka bërë të ditur se një fëmijë i moshës gjashtëvjeçare është në gjendje më të rëndë.“Deri tani në këto momente kur po flasim, janë evidentuar 61 raste të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Gjendja për momentin është më e rëndë për momentin është e një fëmijë të moshës gjashtëvjeçare. Komplikimet e tij janë për momentin janë dridhjet, ethe, temperaturë dhe ka një çrregullim të sistemit nervor për momentin”, ka deklaruar ai për Klan Kosova.Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar për mbylljen e përkohshme të lokalit në Malishevë ku u helmuan mbi 30 persona, të cilët po trajtohen në QKUK.Për gjendjen e pacientëve, detaje ka dhënë Komuna e Malishevës. Pacientët të cilët po trajtohen në Infektivë, janë vizituar mbrëmë nga Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Hajdin Berisha, i shoqëruar nga drejtori i QKMF-së, Afrim Krasniqi dhe asamblistët Valon Mazreku dhe Halil Morina. /Reporteri.net/.