Shkrimtari Haxhi Dulla, vlerësohet  me  mirënjohje të lartë nga Shoqata e Gazetarëve të Republikës Polake

Haxhi Dulla nga Theranda bashkëatdhetari ynë që shumë vite jeton e vepron në Poloni kohë më parë u vlerësua me një mirënjohje të lartë nga Shoqata e Gazetarëve të Republikës Polake për aktivitetin e tij në promovimin e kulturës polake në mediat shqipfolëse dhe kulturës shqiptare në ato polake. Por, kush është Haxhi Dulla?! Ka lindur më 25 maj1960 në Suharekë / Therande – Kosovë Nga viti 1993 ka qëndrim të përhershëm në Poloni ku merret me përkthime dhe publicistikë. Nga 2000 – 2009 ka punuar si këshilltar i komandantit dhe përkthyes i gjuhës shqipe në gjuhën polake pranë Kontingjentit Ushtarak Polak KFOR në Kosovë. Për angazhimin e tij është nderuar me Medaljen e NATO- së për paqe në Misionin Paqësor në Kosovë. Nga viti 1996 e këtej punon si përkthyes i pavarur i gjuhës shqipe në gjuhën polake dhe anasjelltas. Vite me radhë angazhohet si përkthyes i delegacioneve nga Kosova dhe Shqipëria të projekteve të ndryshme organizuar nga Parlamenti Evropian. Posedon licencën e përkthyesit ndërkombëtar të BE dhe NATO, puna e përkthyesit në specifika të ndryshme, ushtri, polici, të institucioneve qeveritare dhe joqeveritare të këtyre vendeve. Bashkëpunon ngushtë në lëmin e përkthimeve me disa Agjencione të Përkthimeve në Poloni, Kosovë e Shqipëri. Nga viti 2012 është bashkëthemelues dhe Kryetar i Shoqatës Poloni-Kosovë KosPol, me seli në Varshavë, e cila tubon rreth vetes shqiptar nga treva të ndryshme që jetojnë studiojnë dhe veprojnë në Poloni. Udhëheq blogun personal me titull “me syrin tim” TOK Fm në portalin informativ në kuadër të së përditshmes polake ‘Gazeta Wyborcza’, në gjuhën polake ku, shkruan kryesisht për kulturën, doket, zakonet e tradita shqiptare, për Kosovën e Shqipërinë. Shpesh merr pjesë në takime të ndryshme, ku promovon Kosovën në mediet polake dhe kohë pas kohe promovon kulturën tonë në institucionet arsimore polake Merret me gazetari e publicistikë, ndërsa pasion ka poezinë, ku ato i shkruan në gjuhën shqipe dhe polake..

Më poshtë teksti i mirënjohjes, e ndarë për kontributin e tij per promovimin e shtetit polak në media shqipfolëse.

                     Varshavë, 4 mars 2025 I nderuar zoti Haxhi Dulla, Në emër të Shoqatës së Gazetarëve të Republikës së Polonisë, dëshiroj t’ju shpreh falënderimet e mia të sinqerta për kontributin tuaj të paçmuar në promovimin e Polonisë dhe ndërtimin e urave të miqësisë midis kombeve tona. Historia juaj është jashtëzakonisht emocionuese dhe frymëzuese. Rrugëtimi juaj nga Kosova në Poloni, përmes përvojës së persekutimit dhe vështirësive të emigrimit, dëshmon forcën, vendosmërinë dhe përkushtimin tuaj të jashtëzakonshëm ndaj vlerave që ju shprehni si person dhe gazetar. Njohuritë tuaja për gjuhën polake, të cilat i keni fituar me përkushtim të plotë, lejuan jo vetëm eksplorimin e kulturës, historisë dhe traditave polake, por edhe promovimin e tyre në vendet shqipfolëse, si dhe në komunitetin ndërkombëtar. Aktivitetet tuaja kulturore janë po aq mbresëlënëse, veçanërisht organizimi i takimeve, koncerteve dhe vizitave studimore që ndërtojnë lidhje mes kulturës polake dhe asaj shqiptare. Pasioni juaj për gazetarinë, i shprehur edhe në poezi dhe përkthime, si dhe bashkëpunimi me institucionet kulturore nga të dyja palët, luajnë një rol të rëndësishëm në afrimin e kombeve tona. Jam i bindur që aktivitetet tuaja në mediat tradicionale dhe dixhitale kanë një ndikim të madh në perceptimin e Polonisë në Shqipëri, Kosovë dhe në mesin e diasporës shqiptare. Vlerësoj veçanërisht aktivitetet tuaja humanitare, të cilat përfshinin ndihmën tuaj për refugjatët nga Bosnja në Poloni dhe përfshirjen tuaj për të ndihmuar refugjatët e Kosovës që banonin në Poloni në vitet 1990/99, puna juaj si përkthyes, këshilltar dhe ambasador i vlerave humanitare është dëshmi e respektit tuaj të thellë për dinjitetin njerëzor dhe punës së palodhshme për paqen dhe mirëkuptimin midis kombeve. Zoti Haxhi Dulla, puna juaj është jo vetëm një burim krenarie, por edhe një frymëzim për të gjithë ata që besojnë në fuqinë e dialogut ndërkulturor dhe solidaritetit njerëzor. Ju uroj suksese të mëtejshme në aktivitetet tuaja gazetareske, kulturore dhe shoqërore dhe kënaqësi të vazhdueshme nga ndërtimi i respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis kombeve dhe kulturës së Polonisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Me respekt dhe mirënjohje, Jerzy Domański President i Shoqatës së Gazetarëve të Republikës së Polonisë/QendraPress.com/