Shtrenjtimi i rrymës, Naim Ramizi: Kjo nuk ndalet me fjalë, kjo ndalet me rezistencë popullore

Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Naim Ramizi, mori pjesë në protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, e organizuar nga Iniciativa “Asnjë cent më shumë”.
Ramizi kritikoi vendimin për rritjen e çmimit dhe vendosjen e institucioneve publike në objekte private me qira të lartë, duke thënë se qytetarët nuk duhet të paguajnë për luksin e qeverisë.
“Paga 7 mijë euro për kryetarin dhe rritje 170 për qind e energjisë në katër vjet nuk janë të pranueshme. Kjo nuk ndalet me fjalë, por me rezistencë popullore,” tha Ramizi për Ekonomia Online.
“Të protestosh kundër shtrenjtimi të energjisë e vendimi për ngritjen e çmimit vetëm është marrë. Edhe kjo protestë nuk është dashur të shpërndahet. Është dashur të vazhdojë, të bllokohet, por ata thanë se jemi në pronë private dhe nuk kemi të drejtë. Pyetja ime është se çka kërkojnë institucionet publike në pronë private, në një vend kaq luksoz, ku qiratë janë marramendëse, pse ne t’i paguajmë ato qira. A janë pak pagat që i paguam atij kryetarit 7 mijë euro që merr pagë dhe vendos për fatin e familjeve tona. Kjo nuk është e drejtë, kjo nuk ndalet me fjalë. Kjo ndalet me rezistencë popullore, duke e ndalur dhe duke ia ndalur hyrjen”, tha Ramizi.
Ai kërkoi kthimin në çmimet fillestare dhe mbajtjen e premtimeve për uljen e kostos së energjisë. Sipas tij, shteti po menaxhohet keq dhe humbjet janë të mëdha, përfshirë edhe humbjen e 150 milionë eurove nga investimet e Trustit të Kursimeve Pensionale.
“Kjo nuk është rritja e parë, kjo është rritje e vazhdueshme, që katër vjet e ka arritur shifrën 170 për qind. Kjo nuk është normale. Kërkesa jonë është që të kthehemi në gjendje fillestare. Po të kthehemi në gjendjen që kryeministri i vendit ka premtuar që kur të vjen në qeverisjen do ta ulë çmimin e energjisë, sepse jemi duke e paguar shtrenjtë. Çka ndodhi tani, ne e pamë që KEK për vitin e fundit ka paguar 9 milionë, ndërsa vitin e kaluar ka qenë 0.9, 9 milionë më shumë. Kuletën e shtetit ia kemi lënë në dorë një axhamie. Investimet e Trustit këtë muaj i kemi humbur 150 milionë, çka është kjo, kush jemi ne, deri kur do të bëhen këto gjëra në kurrizin tim”, tha Naim Ramizi.