Sorensen në Presidencë, pritet nga Osmani

           Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sorensen, raporton Ekonomia Online.

Pas këtij takimi, Sorensen do të pritet edhe nga kryeministri në detyrë Albin Kurti. Pas takimit me Kurtin, emisari i BE-së do të takohet edhe me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi.

Sorensen do të vizitojë Kosovën për të përgatitur vazhdimin e procesit të dialogut, në kuadër të së cilit për muaj nuk ka pasur lëvizje.

Ndër temat e para që do të mund të diskutoheshin gjatë vizitës së tij është edhe zbatimi i Deklaratës për të Pagjeturit, për të cilën palët kishin rënë dakord por takimi i fundit në Bruksel në nivel të ekspertëve kishte dështuar që të zhvillohet por që të sjellë ndonjë rezultat.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e re për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë para disa javësh se gjatë këtij muaji do të shikojnë se si do të ecet përpara në procesin e dialogut, duke përmendur po ashtu edhe faktin se ka kritika ndaj formatit të deritashëm të këtij procesi.