Sot në Bruksel takohen Kurti dhe Vuçiq 

                          Bashkimi Evropian ka njoftuar se sot do të mbahet takim i nivelit të lartë të dialogut Kosovë – Serbi.BE-ja ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të priten në Bruksel nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe nga emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.Borrell do të pret Kurtin e Vuçiqin me fillim nga ora 8 e mëngjesit në takime ndaras, ndërsa më pas do të ketë edhe takim trepalësh. “Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni të mëtejshëm në terren, me theks në targat dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës. Do të ketë një deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë në fund të takimit”, thuhet në njoftim.Ndërsa, shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borrell mbrëmë ka deklaruar se duhet të ndodhë de-përshkallëzimi i situatës.“Unë do të thërras nesër (sot) një takim urgjent të Dialogut Beograd-Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ne kemi nevojë për de-përshkallëzimin e situatës, të ndalojmë së shkuari nga menaxhimi i përhershëm i krizës dhe në vend të kësaj të fillojmë të avancojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar Borrell në Twitter.Policia e Kosovës ka njoftuar mbrëmë se nga 22 nëntori do të nisin shqiptimin e gjobave prej 150 euro për shoferët në veri që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, të cilat Kosova i konsideron të paligjshme. /Reporteri.net/.