Spiunazhi nuk ndodh rastësisht-Shkruan:Gjeneral Hisen BERISHA

Rasti i arrestimit të Bojan Jevtić – zëvendëskomandant dhe shef i operativës në Policinë e Kosovës në veri – nën dyshimet për spiunazh, është vetëm kulmi i një zinxhiri dështimesh që nuk kanë ndodhur brenda natës. Arrestimi i një zyrtari të lartë policor në një pozitë kyçe për sigurinë operative, në një nga zonat më të ndjeshme të vendit, është tregues alarmant se institucionet e sigurisë janë infiltruar dhe kompromentuar në nivelet më të larta.
Ky nuk është rasti i parë. Por është rasti më flagrant që konfirmon atë që për një kohë të gjatë është heshtur ose relativizuar: infiltrimi i strukturave armiqësore brenda institucioneve të rendit dhe sigurisë. Dhe nuk ka ndodhur vetëm për faj të një individi. Ka ndodhur për faj të një sistemi që është lejuar të degradojë – nga rekrutimi deri te komandimi.
Gabimet e rënda në politikën e kuadrove, mungesa e kontrollit të brendshëm, kompromiset me profesionalizmin në emër të menaxhimit politik të veriut, dhe toleranca ndaj shkeljeve procedurale janë bërë normë. Dështimet janë të shumta:
– në përgatitjen dhe arsimimin e zyrtarëve policorë,
– në kontrollin e besueshmërisë dhe sigurisë së tyre,
– në kushtet minimale të shërbimit, sidomos në zona të rrezikuara,
– në menaxhimin logjistik e operacional të strukturave në veri,
– dhe, mbi të gjitha, në sistemin inteligjent që ka dështuar të parandalojë dhe alarmojë në kohë.
Në vend që të kemi një strategji serioze për ndërtimin e një strukture të sigurtë, të profesionalizuar dhe të mbrojtur nga ndërhyrjet, kemi parë vit pas viti politizim të thellë të Policisë dhe agjencive të sigurisë, duke degraduar standardet profesionale dhe etike.
Duke respektuar parimin juridik – prezumimi i pafajësisë – rasti Jevtić është më shumë se një alarm. Është një akt që godet direkt besueshmërinë e shtetit dhe partneritetin ndërkombëtar të Kosovës në fushën e sigurisë. Dhe për këtë nuk mjafton vetëm një arrestim.
Është i domosdoshëm një katarsis institucional, që nis me mbajtjen e përgjegjësisë morale dhe politike.
Sepse spiunazhi nuk ndodh në vakum. Ai ndodh kur struktura e komandës nuk funksionon. Kur zinxhiri i përgjegjësisë shkëputet nga detyra për të ruajtur shtetin. Dhe në këtë klimë, heshtja është bashkëpërgjegjësi.
Kur arrestohet një zëvendëskomandant për spiunazh, nuk është vetëm ai që duhet të japë llogari. Duhet të japin llogari të gjithë ata që i kanë dhënë pozitën, që nuk e kanë kontrolluar, që e kanë heshtur dyshimin dhe që e kanë lejuar të operojë për llogari të një shteti tjetër, duke rrezikuar sigurinë kombëtare të Kosovës.
Të mos harrojmë: kjo ndodh në vitin 2025. Pas një dekade të shtetësisë. Me një qeveri që premton kontroll të plotë në veri, sovranitet dhe reforma në sektorin e sigurisë. Por realiteti është ky: një spiun me uniformë të Policisë së Kosovës, në krye të operativës në veri.
Prandaj, është e pafalshme që ende asnjë zyrtar i lartë politik apo institucional nuk ka ndjerë as përgjegjësi minimale morale për këtë dështim dramatik. Sepse në çdo shtet normal, vetëm ky rast do të mjaftonte për të kërkuar dorëheqje të menjëhershme. Jo si akt teatral, por si domosdoshmëri për të rikthyer besimin në sistem.
Nëse kjo nuk ndodh sot – pas këtij skandali – atëherë po e legjitimojmë heshtur që spiunazhi, infiltrimi dhe rrjedhja e informatave të klasifikuara të jenë thjesht “rreziqe të profesionit”. E në atë rast, nuk kemi më shtet, por një simulim të tij.
Prandaj me të drejtë shtrohet pyetja se: edhe çka tjetër duhet të ndodhë, që dikush të japë dorëheqje dhe të marr përgjegjësi?/QendraPress/