Tahiri jep detaje nga dialogu: I bërtita Vuçiqit “të paska ra malli për NATO-n”, përfundoi në spital nga tensioni

Tahiri jep detaje nga dialogu: I bërtita Vuçiqit “të paska ra malli për NATO-n”, përfundoi në spital nga tensioni
Ish- diplomatja Edita Tahiri ka zbuluar disa nga bisedat më tensionuese që kishte pasë me palën serbe derisa ishte në krye të palës kosovare për dialogun Kosovë-Serbi.
Ajo tha se një fjalë e saj ia kishte ngritur tensionin presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili kishte përfunduar më pas në spital.
Tahiri tha se një kërcënimit të Vuçiqi me kthim të ushtrisë në Kosovë i ishte përgjigjur me emocione: “Të paska ra malli për NATO-n”.
 
Kjo kishte çuar edhe në ngritjen nga tavolina të delegacioneve.
“Kishte negociata mes Isa Mustafës dhe [Aleksandar] Vuçiqit, Isa atëherë ishte kryeministër, Hashim Thaçi zëvendës dhe unë kryenegociatore. [Federica] Mogherini ndërmjetësuese. Po diskutonim natyrisht nivel politik. Por, Vuçiqi s’po ndalej që në qoftëse nuk bëhet marrëveshja “unë prapë e kthej ushtrinë në Kosovë”, thoshte Vuçiqi. Aty unë shpërtheva, Isa e Hashimi nuk reagonin, dëgjonin. I thashë: t”ë paska ra malli për NATO-n”, në anglisht. “Por, ju jeni mësu më shkelë ligjin ndërkombëtar. Kur i kam thënë kështu me emocion dhe me bërtimë, jo kështu në mënyrë diplomatike, Vuçiq i tha Mogherinit: “Ndalni bisedimet””, tregoi Tahiri në Klan Kosova.
Tahiri tha se më pas të gjithë u ngritën dhe dolën nga salla.
“Kaluan orë s’po rifillon bisedat”, kujtoi Tahiri, e cila shtoi se më pas kishte pyetur në korridor një zyrtar të BE-së se çfarë po ndodhte që s’po ktheheshin në tavolinën negociuese.
“Ai më tha: “Po ta them në besim, Vuçiqi ka përfunduar në spital pas fjalës që i ke thënë ti, i ka hipë tensioni dhe s’dihet kur e lëshojnë prej spitalit””.