Aktakuzë për fajde dhe organizim të bixhozit të paligjshëm

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit F.Sh., i cili gjendet nën masën e paraburgimit nga data 09.12.2024 për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “Fajdeja” dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”
Sipas aktakuzës, nga muaji shtator i vitit 2023 dhe në vazhdimësi, përkatësisht deri me datë 09.12.2024 për vete pranon dhe kontrakton shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të tillë, varfërinë, papërvojën dhe paaftësinë e tij për të gjykuar, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari – viktima, A.Z., nuk kishte pasur mundësi t’ia kthejë një borxh në shumën prej 70,000.00 €.
Dhe në momentin kur viktima has në vështirësi që t’ia paguajë borxhin në fjalë, i pandehuri arrin ta bindë viktimën që në emrin e tij do të angazhohet dhe t’ia sigurojë paratë, në mënyrë që t’ia krijojë kushtet të njëjtit për kthimin e borxhit, me ç’rast duke filluar nga muaji prill i vitit 2024, i pandehuri i siguron viktimës të hollat në shumën prej 10,000.00 € (dhjetëmijë euro) për të cilën shumë më pas e detyron viktimën të paguajë kamatë prej 15%, duke vazhduar më tej, përkatësisht në muajin qershor, 2024, sërish i mundëson viktimës të marrë në dispozicion shumën e të hollave prej 5,000.00 € (pesëmijë eurosh), për të cilën shumë – vetëm për 6 (gjashtë) javët e para, viktima është detyruar të paguajë kamatë në shumën prej 3,000.00 € (tremijë euro) duke përfshirë edhe shumën totale të borxhit prej 5,000.00 € (pesëmijë eurosh).
Dhe sërish brenda të njëjtit muaj, i siguron viktimës shumën e parave prej 10,000.00 € (dhjetëmijë eurosh) me kamatë prej 18% dhe më pas në muajin korrik, 2024, i njëjti sërish i mundëson viktimës, përkatësisht ia siguron shumën e të hollave prej 2,000.00 € (dymijë eurove) për të cilën shumë e detyron të paguajë kamatë prej 20%, për të vazhduar më tej, konkretisht në muajin gusht të vitit 2024, i pandehuri sërish i mundëson viktimës të marrë para (gjithnjë me interes – fajde) në shumën prej 10,000.00 € (dhjetëmijë euro) duke e ngarkuar me kamatë prej 15%, për të cilën shumë, për të vazhduar më pas brenda po të njejtit muaj (Gusht, 2024), deri kur me datë 09.12.2024 në fshatin Shirokë të Komunës së Suharekës, i pandehuri kapet në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës duke pranuar nga viktima të hollat në shumën prej 5,000,00 € (pesëmijë euro) – gjithnjë në emër të kamatave të papaguara për huadhëniet me fajde, i cili arrestohet në vendin e ngjarjes, me ç’rast në total viktima ka paguar para me interes – kamatë të paligjshme në shumën prej 14,600.00 € (katërmbëdhjetëmijë e gjashtëqind euro) dhe ende nuk ka arritur t’ia paguajë shumën e mbetur të kamatës prej 21,400.00 € (njëzet e njëmijë e katërqind euro) gjegjësisht totalin e kamatës nga të gjitha huazimet e të hollave me fajde, e cila kap vlerën prej 81,400.00 € (Tetëdhjetë e njëmijë e katërqind euro). Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së.
Po ashtu, i pandehuri F.Sh., nga muaji janar dhe në vazhdimësi, gjegjësisht deri në muajin prill të vitit 2024, në intervale të ndryshme kohore, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, organizon, merr pjesë dhe ndihmon në organizimin e bixhozit, lojërave të llojit të kazinove dhe lojërave të fatit siç përcaktohet me ligj, për të cilat nuk është dhënë licenca, leja apo koncesioni i organit kompetent, në atë mënyrë që përmes një programi elektronik të lojërave të fatit, i kishte mundësuar të dëmtuarit A.Z të luajë bixhoz të paligjshëm, me ç’rast ky i fundit deri në muajin Prill të vitit 2024 i mbetet borxh të pandehurit në shumën prej 70,000.00 € (Shtatëdhjetë mijë euro), ku paraprakisht, përveç kësaj shume të borxhit, i dëmtuari i kishte dhënë të pandehurit edhe 20,000.00 € (Njëzet mijë euro) me qëllim që t’ia mundësojë qasjen në lojërat e fatit, kështu duke i sjellë vetes fitim – dobi pasurore, përkatësisht duke i shkaktuar të dëmtuarit humbje financiare në shumën prej 90,000.00 € (Nëntëdhjetë mijë euro). Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit./Telegrafi/