Të nderuar veteranë dhe veterane, invalidë dhe invalide, si dhe familjarë të dëshmorëve të UÇK-së,-Shkruan;-Bashkim HOXHAJ

Urime Dita e Veteranit.

Me shpresën se angazhimi juaj, mundi juaj, lufta juaj, gjaku juaj… një ditë do të vlerësohen ashtu siç do të duhej të vlerësoheshin dhe siç në të vërtetë i meritoni.

Pa dëshirë, por duhet ta pranojmë, se luftëtari i UÇK-së që nga fillimi ka qenë objekt i sulmeve të vazhdueshme, përpjekjeve për minimizim, mohim, njollosje dhe akuza nga më absurdet. Orvatjet për ta relativizuar kontributin e tij nuk kanë pushuar asnjëherë.

Për 25 vite liri, zhvillim, shtetndërtim, pavarësi, njohje ndërkombëtare dhe ndërtim institucional, propaganda kundër ushtarëve të UÇK-së, komandantëve dhe familjeve kontributdhënëse nuk ka ndalur për asnjë çast.

Është e dhimbshme të shohësh e të dëgjosh se si, madje edhe një pjesë e atyre që e quajnë veten “intelektualë”, derdhin helm nga gjuha duke etiketuar, bullizuar dhe përgojuar me forma të ulëta.

Njerëz që asnjë natë të vetme nuk kanë fjetur larg gjirit të grave të tyre, pa pikë turpi, pa fije brejtjeje ndërgjegjeje, pa u skuqur fare, dalin përballë:

-një nëne që ka ushqyer luftëtarë lirie;

-një gruaje që, dikur, në moshën 17–18-vjeçare mori pushkën për liri;

-një invalidi që është paaftësuar përjetësisht për t’u kujdesur për fëmijët e tij;

-një familje që e ka djalin apo vajzën, babanë, burrin, vëllain… në varrezat e dëshmorëve;

duke folur me gjuhën e shërbimeve antishqiptare dhe duke nxitur urrejtje në popull ndaj kategorive të luftës për liri.

Propaganda, nihilizmi, bullizimi dhe nënçmimi kanë arritur deri në shkallë urrejtjeje të hapur, me tendencë të përmasave kolektive. Por harrojnë se kinçimet ndaj vlerave të lirisë, ndaj asaj që përfaqëson veterani i luftës së UÇK-së, janë sulme të drejtpërdrejta ndaj historisë sonë më të lavdishme në 25 shekuj.

Qarqeve të caktuara politike dhe shërbëtorëve të padinjitetshëm të tyre:

-UÇK-ja si frymë,

-UÇK-ja si veprimtari çlirimtare,

-UÇK-ja si vlerë historike,

vazhdon t’u pengojë. Ata ndihen të eklipsuar nga vetë ekzistenca e madje edhe fizike e ish-luftëtarit të lirisë. Kjo është e dhimbshme; kjo është lënduese; kjo është jashtë çdo logjike të shëndoshë njerëzore e humane – një logjikë thellësisht antikombëtare.

Sidoqoftë, pavarësisht rrethanave, konstelacioneve, inercioneve dhe përpjekjeve nihiliste, veterani i luftës së UÇK-së duhet të ndihet krenar me veten dhe mec bashkëluftëtarët e tij. Ai nuk duhet të ndihet keq për atë që është; përkundrazi, keq le të ndihet ai që u përpoq ta pengojë dhe më pas ta mohojë.

Lufta për Liri ishte domosdoshmëri e kohës. Dikush ishte i gatshëm të vdiste për atdhe, dikush ende jo, dikush gjente justifikiime. Njerëzit nuk janë të gjithë njësoj, kjo nuk është befasuse. Luftën e bëjnë një pakicë, Lirinë e gëzojnë të gjithë. Kështu ndodh gjithkund. Por jo gjithkund mohohet sakrific e bashkëkombasve të vet. Ky është realiteti ynë i idhët.

“Luftëtari i Lirisë është ai që e ka tejkaluar veten; idealin e brezave e ka kthyer në realitet; të pamundurën e ka shndërruar në të mundur”.

Lavdi dëshmorëve !

Nder dhe respekt burrave, grave, madje edhe të miturve, që hodhën gurin në themelin e Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.

Edhe një herë,

Urime Dita, ty Veteran, dhe ty Veterane./QendraPress/