Të zhdukurit, çështje humanitare e më së paku politike

Qendra Burimore për Personat e Zhdukur (QBPZh) shënoi Ditën kombëtare të viktimave të zhdukjeve me forcë.

Me këtë rast, u vu në dukje kontributi i themeluesit të kësaj organizate Bajram Qerkinit, i cli kohë më parë u nda nga jeta, raporton Ekonomia Online.

Mërgim Memoviq tha se mungesa e Bajram Qerkinit ndihet thellë dhe se çështja e të zhdukurve mbetet humane dhe jo politike, ndërsa koha vetëm sa e rëndon plagën.

“Për ne si qendër kjo datë është më e vështirë. Sot nuk e kemi shtyllën e organizatës dhe nuk e kemi figurën që e ka nisur këtë çështje. Bajram Qerkini u bë simbol i qëndresës dhe i luftës për të vërtetën. Me urtësi ishte në ballë të kësaj beteje edhe në moshë të shtyrë, deri në frymën e fundit. Rreth 1 600 persona janë në listën e të pagjeturve. Kujtimi i Qerkinit na bënë ta vazhdojmë rrugëtimin e tij. Le të shërbejë kjo ditë që të bëjmë zërin më të fuqishëm, sepse çështja e personave të zhdukur është çështje njerëzore dhe humanitare e më së paku politike. Themi që koha i shëron plagët, por koha po e rëndon çështjen e personave të zhdukur, sepse ka kaluar dy dekada dhe fati i tyre nuk është rregulluar, siç duhet”, tha Memoviq.

Negovan Mavriq u shpreh se kjo është dita e parë pa praninë e Bajram Qerkinit, i cili luftoi për të gjithë të zhdukurit.

“Sot është takimi i parë pa prezencën e atij që ia ka dedikuar jetën personave të zhdukur. Nuk ka luftuar vetëm për djalin e vet, por për të gjithë. 1600 familje i kemi që kërkojnë më të dashurit e tyre dhe që nuk dinë për fatin e tyre dhe së bashku kërkojmë për fatin e tyre edhe në Beograd, edhe në Kosovë”, tha Mavriq.

Gordana Dikanoviq nga organizata “Viktimat e Kosovës” theksoi nevojën për të mos harruar të zhdukurit, ndërsa prindërit dhe bashkëshortët e tyre ndahen nga jeta pa e ditur të vërtetën.

” Bajrami na ka kuptuar, e ka njohur këtë pe që na ka lidhur. Për 1 mijë e 600 persona të zhdukur e ndajmë një dhimbje. Prindërit dhe bashkëshortët e tyre ndahen nga jeta pa e ditur të vërtetën “, tha ajo.

Baki Svirca nga Ministria e Drejtësisë tha se Kosova nuk duhet të jetë pengesë për gjetjen e personave të zhdukur.

“Pas shumë diskutimeve dhe debateve në qershor kemi arritur të bëjmë Strategjinë për drejtësinë tranzicionale. Kemi parë që është e nevojshme të ketë intervenime në plotësimin e Ligjit për personat e zhdukur. Kemi tendencë të politizimit dhe Kosova nuk duhet të jetë peng i lëvizjeve rajonale”, tha ai.

Ndërsa, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur tha se të gjitha objektivat janë vendosur bashkërisht

“Me shumë të drejtë në këtë takim u nderuar Bajram Qerkini. Pavarësisht nga sfidat dhe dhimbja, familjarët e personave të zhdukur janë njerëzit më fisnikë. Është i pashpjegueshëm guximi dhe forca që e kanë”, tha Gara.