Totaj për humbjen e Faridin Tafallarit: Ia fali vitet më të mira të jetës çështjes kombëtare.

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, e ka vlerësuar kalimin në amshim të veprimtarit Faridin Tafallari si një humbje të madhe për familjen e tij të ngushtë, miqtë, Prizrenin dhe Kosovën.

“Kombi ynë humbi një nga djemtë më të mirë që ia fali vitet më të mira të jetës së tij çështjes kombëtare”, shkroi Totaj në Facebook.

I lindur më 1 shkurt 1951 në fshatin Struzhë, Faridini u brymos herët me ndjenjën e patriotizmit dhe atdhedashurisë. U angazhua si i ri në ballë të lëvizjeve për liri të Kosovës, herë në krye të demonstratave, ndërsa pjesën tjetër të jetës në ilegalitet të plotë deri në luftën e fundit të udhëhequr nga UÇK.

Totaj theksoi se Faridin Tafallari e shkroi veprën jetësore të ti.

“I përulemi veprës së tij jetësore”.

Pjesën më të madhe të jetës, Faridini e ka përshkruar edhe në shtatë librat e tij: “Terror, dhimbje, qëndresë” (1997); “Dhimbje krenare” (1998); “Zot të kësaj toke jemi ne” (2003); “Fat lumëbardhi dhe Struzha e tij” (2008); “Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme” (2010); “Për kohën e artë” (2015), dhe “Shqiptarët e rrezikshëm për Jugosllavinë” (2017).