U zhduk në ditën kur kishte për tu kthyer në Gjermani, familja thotë se tash e gjashtë vjet nuk dinë asgjë për Mirjeta Zekën.

U zhduk në ditën kur kishte për tu kthyer në Gjermani, familja thotë se tash e gjashtë vjet nuk dinë asgjë për Mirjeta Zekën Janë bërë gjashtë vjet nga zhdukja e gruas nga Mitrovica, Mirjeta Zeka. Ajo ishte humbur pa gjurmë, pikërisht në ditën kur kishte pasur të kthehej në Gjermani së bashku me bashkëshortin e tij.Familja Zeka në një reagim publik drejtuar mediave ka thënë se fundi i muajit mars shënon një tjetër përvjetor të dhimbshëm të zhdukjes së Mirjeta Zekës, transmeton Telegrafi. “Një rast që vazhdon të mbetet i pazbardhur, ndërsa dhimbja dhe pasiguria rëndojnë mbi familjen e saj dhe gjithë shoqërinë tonë. Gjashtë vite pas zhdukjes së Mirjetës, për fat të keq, ky rast mbetet i pazgjidhur për shkak të mungesës së veprimit efektiv nga organet e drejtësisë. Zvarritja e hetimeve dhe mungesa e rezultateve konkrete pasqyrojnë një neglizhencë të rëndë institucionale, e cila minon besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, thuhet në reagimin e familjes. Tutje në reagim thuhet se familja e Mirjetës meriton të dijë të vërtetën, ndërsa institucionet kanë detyrimin moral dhe ligjor të angazhohen me përkushtim të plotë për zbardhjen e këtij rasti.
“Përkundër kërkesave të vazhdueshme nga familja dhe opinioni publik, institucionet përgjegjëse kanë dështuar ta ndriçojnë këtë rast, duke dëshmuar një neglizhencë të papranueshme dhe një shkelje të rëndë të detyrimeve të tyre ligjore.
Ligjet në fuqi i obligojnë institucionet e drejtësisë të zhvillojnë hetime efektive, të paanshme dhe të shpejta për raste të tilla, në mënyrë që e vërteta të dalë në dritë dhe drejtësia të vihet në
vend. Vonesat e pajustifikueshme dhe mungesa e progresit në këtë rast janë dëshmi e një neglizhence sistematike që dëmton rëndë besimin e qytetarëve në drejtësi”, theksohet mes tjerash.
Familja Zeka ka kërkuar që rasti të kalojë urgjentishtnga Prokuroria Themelore e Mitrovicës në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
“Duke marrë parasysh kompleksitetin e rastit dhe dështimin e deritanishëm të organeve përgjegjëse për të siguruar drejtësi, ky transferim është i domosdoshëm për të garantuar një hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshëm”, vijon reagmi.
Poashtu thuhet se mosveprimi institucional në këtë rast nuk është vetëm dështim ligjor dhe profesional, por edhe një padrejtësi e rëndë ndaj familjes së Mirjetës, e cila tash e gjashtë vite kërkon përgjigje.
“Kërkojmë drejtësi për Mirjetën dhe për të gjitha rastet e tjera të ngjashme që mbetën të pazgjidhura. Heshtja dhe neglizhenca nuk mund të jenë përgjigje! Kërkojmë reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse”, thuhet ndër tjera./Telegrafi/