VARFËRIA INTELEKTUALE PAPAGALLIZËM PUSHTETI (Mungesë e mendimit kritik) –Shkruan:Bashkim HOXHAJ,analist politik

Në çdo shoqëri gjenden individë që lakmojnë pushtetin, por mjerisht, disa prej tyre i kushtojnë më shumë rëndësi fasadës sesa thelbit. Këta vardisës naivë të pushtetit, të veshur me tituj akademikë dhe retorikë pompoze, nuk artikulojnë ndryshime reale, por i bëjnë jehonë qeverisë në pushtet, së cilës i shërbejnë me devotshmëri. Ata fokusohen në “arritjet pozitive” të ndërmarra nga partia qeverisëse që nga fitorja e saj 4-5 vjet më parë, duke e mbuluar mungesën e përgjegjshmërisë politike dhe qytetare me një retorikë të zbrazët dhe interpretime të sforcuara. Atyre u mungon dukshëm empatia kognitive, paaftësia për të kuptuar dhe ndarë ndjenjat e të tjerëve. Këta individë, pavarësisht gjinisë, ose nuk e përjetojnë, ose refuzojnë të pranojnë realitetin e Kosovës, i cili qëndron në kontrast të plotë me atë që ata propagandojnë nëpër studio televizive me fjalime të amplifikuara dhe pa asnjë bazë faktike. Mungesa e thellë e njohurive dhe mënyra e tyre e shtrembëruar e interpretimit të rrethanave politike, si dhe ngulmimi për të injoruar faktet e një realiteti degradues në vend, i bënë figura qesharake. Varfëria intelektuale i ka shndërruar në papagall që përsërisin pa kuptim propagandën e pushtetit. Kjo i ka katandisur në moçalin e shfaqjes së një mungese të thellë ndjeshmërie ndaj problemeve të shumta që e kanë kapluar vendin. Pushteti nuk është thjesht një titull apo një pozitë. Para së gjithash, ai është përgjegjsi, është përkushtim që kërkon dije dhe profesionalizëm. Në realitetin tonë, po ndodh e kundërta e asaj që kërkohet: mungesë dijesh, papërgjegjshmëri totale, joprofesionalizëm dhe indiferencë qeveritare ndaj problemeve reale. Në kontekstin e rrethanave regresive, intelektualët në përgjithësi, opinionistët, gazetarët, analistët politikë, ekonomikë, juridikë, socialë, të shëndetësisë, arsimit, integrimeve euro-atlantike… nuk kanë luksin të heshtin, aq më pak të shndërrohen në vegla shkatërrimtare për Kosovën dhe të ardhmen e saj.