Veprimi i Konjufcës dhe mazhorancës, patriotizëm i rremë për vota, penalizim real për Kosovën –Shkruan;Hisen BERISHA, Deputet i Parlamentit të Kosovës.
“Puna e natës, gazi i ditës,” thotë një proverb popullor. Kjo punë parlamentare që zgjati deri në mesnatën e 5 dhjetorit dëshmoi se mazhoranca aktuale është më shumë e përkushtuar ndaj lojërave politike dhe spektaklit sesa ndaj interesave shtetërore. Shfaqja e fundit – ndërprerja “heroike” e seancës pasi deputetët serbë refuzuan të lëshonin sallën – është një tjetër akt teatral që synon efektet elektorale. Në vend që të zbatohej ligji dhe rregullorja e Kuvendit, veprimi i kryeparlamentarit Glauk Konjufca ishte një manovër politike e mbështjellë me një retorikë patriotike të pakuptimtë. Aktet e tilla nuk janë asgjë tjetër veçse përpjekje për të manipuluar emocionet e votuesve të mazhorancës, të cilët shihen si objekt manipulimi emocional, ndërkohë që dëmet reale për Kosovën janë të pallogaritshme. Deputetët serbë prej kohësh keqpërdorin rregulloren për përfitime financiare simbolike, ndërsa mazhoranca asnjëherë nuk ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj këtyre shkeljeve. Kjo situatë është toleruar prej tyre, duke dëmtuar seriozisht agjendën legjislative. Kjo ndërhyrje e fundit nuk ishte asgjë më shumë se një skenar i menduar për të krijuar një iluzion force dhe mbrojtjeje të shtetësisë, ndërkohë që ligji lejon sjellje të tilla nga të gjithë deputetët, përfshirë edhe ata serbë. Ky është një model i përsëritur nga mazhoranca për të rritur kapitalin politik në kurriz të interesave kombëtare. Vendimet e tyre – nga futja e Kosovës në izolim ndërkombëtar dhe përjashtimi nga ushtrimi “Defender Europe 24,” deri te pranimi i marrëveshjeve si plani franko-gjerman dhe statuti i Zajednicës – kanë dëshmuar një linjë të qartë kompromisi në dëm të sovranitetit të vendit. Madje, edhe paralajmërimet e fundit për “hakmarrje serbe” apo tensionet rreth kanalit Ibër-Lepenc janë lëvizje të projektuara për konsum të brendshëm politik. Në këtë ndërkohë, deputetët serbë vazhdojnë bojkotin e tyre, duke i paraqitur vetes si “viktima të diskriminimit.” Kjo ndihmon Beogradin të avancojë narrativën e tij për mosbesim dhe përjashtim, ndërsa mazhoranca e LVV vazhdon të ndërtojë një imazh të rremë patriotik, duke shitur akte të tilla si qëndrime të forta ndaj Serbisë. Në realitet, këto janë manovra të qëllimshme për të manipuluar emocionet e qytetarëve, duke penguar mendimin racional dhe duke forcuar bazën elektorale përmes pseudo-kauzave. Qëllimi i tyre është përgatitja e terrenit për marrjen e votave me premtime mashtruese, ndërkohë që në mandatin tjetër do të detyrohen të implementojnë marrëveshjet antikushtetuese që kanë nënshkruar. Për botën demokratike, këto veprime ndaj serbëve kosovarë – të cilët janë të dirigjuar dhe të instrumentalizuar nga Beogradi – përfaqësojnë një dështim politik që çon drejt humbjes së sovranitetit mbi pjesë të territorit. Argumentet për “disavantazhe dhe diskriminim” krijojnë terren për implementimin e Statutit të Zajednicës si një kornizë autonome, e cila praktikisht përfaqëson një “kushtetutë” për entitetin serb në veri. Kjo strategji e mazhorancës, që përpiqet të fshehë dështimet e saj nën retorikën patriotike, jo vetëm që dëmton funksionimin institucional të Kosovës, por edhe hap rrugën për më shumë cenime të sovranitetit dhe integritetit shtetëror. Nëse populli e mbështet këtë qeveri edhe në mandatin e ardhshëm, ai do të përballet me zbatimin e marrëveshjeve të dëmshme, duke përfshirë planin franko-gjerman dhe statutin e Zajednicës, që përbëjnë hapat e parë drejt një tradhtie të hapur ndaj shtetit./www,QendraPress.com/