Zgjedhjet Lokale 2025 – Populli i Kosovës foli qartë: Republika nuk cenohet-Shkruan/Ruzhdi GASHI ,avokat

Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025 në Republikën e Kosovës shënuan jo vetëm një garë politike për pushtet vendor, por një test të pjekurisë demokratike dhe të qëndrueshmërisë shtetërore. Rezultatet treguan qartë se populli i Kosovës është i vendosur për Republikën, për vlerat e saj dhe për orientimin euroatlantik të vendit.
Me votën e lirë, qytetarët i dhanë një grusht të fuqishëm kundërshtarëve të shtetësisë dhe atyre që, në mënyra të ndryshme, përpiqen të cenojnë themelet mbi të cilat është ndërtuar liria dhe pavarësia e Kosovës.
Ky mesazh i qartë nga sovrani duhet të jetë thirrje për reflektim për klasën politike kosovare. Pas më shumë se dy dekadash shtetësi, Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për unitet politik dhe vizion shtetformues, jo për ndarje partiake e përplasje ideologjike.
Politikanët duhet të orientohen drejt ruajtjes së fryteve të luftës, forcimit të institucioneve dhe mbrojtjes së themeleve mbi të cilat është ngritur Republika.
Sot, më shumë se kurrë, është koha të arrihet një konsensus kombëtar për tri shtylla që përcaktojnë të ardhmen e vendit:
1. Roli historik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si simbol i lirisë dhe sakrificës kombëtare;
2. Forcimi i Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik;
3. Ruajtja e miqësisë me botën perëndimore, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mbeten garantuesit kryesorë të lirisë dhe sigurisë sonë kombëtare.
Vetëm me mbylljen e këtyre temave thelbësore dhe me konsolidimin e brendshëm shtetëror, Kosova mund të hyjë në një fazë të re stabiliteti politik.
Është koha që partitë politike të garojnë për pushtet me programe konkrete ekonomike, zhvillimore dhe sociale, të fokusuara në mirëqenien e qytetarëve, pa dallim etnie, race apo feje.
Në vend të retorikës përçarëse dhe betejave të pafundme për pushtet, Kosova ka nevojë për ide, vizion dhe qeverisje efikase.
Vetëm në këtë mënyrë mund të rikthehet besimi i qytetarëve te institucionet dhe të vendoset shteti në rrugën e progresit dhe zhvillimit, ashtu siç ishte pak vite më parë.
Zgjedhjet e 12 tetorit 2025 dëshmuan se populli i Kosovës nuk lejon të preket Republika dhe se, kur kërkohet, ai mobilizohet për ta mbrojtur me votë, ashtu siç e mbrojti dikur me gjak.
Ky është momenti për unitet dhe mobilizim kombëtar – për ta forcuar shtetin, për ta mbrojtur Republikën dhe për ta çuar Kosovën në rrugën e përparimit, drejt së ardhmes që e meriton.
Me 13 tetor 2025
K o s o v ë