320 raste të reja me kancer brenda dy muajve – Onkologjia në përfundim të renovimit
320 raste të reja me kancer janë shënuar gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti në Kosovë, ka bërë të ditur për Ekonomia Online, drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi.
Ai thotë se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i rasteve është rritur për mbi 10 për qind. Derisa kanceri i gjirit vazhdon të dominojë te gratë, te burrat është ai i mushkërive.
Kurtishi ka bërë të ditur se numri i rasteve të reja me kancer është trend në rritje, derisa potencoi se pritet që në fillim të muajit maj të përfundojnë renovimet e kësaj klinike.
“Viti 2024 për janar-shkurt në Klinikën e Onkologjisë janë regjistruar 320 pacientë të me kancer të llojeve të ndryshme dominon prapë si vitin e kaluar me kancerin e gjirit dhe është një numër më i madh se i viteve paraprake dhe njëjtë të meshkujt dominon kanceri i mushkërive kurse menjëherë pas këtyre dy grupeve janë tumoret e zorrëve së trashë dhe tumoret malinjë të organeve gjenitale të femrave. Mosha akoma dominon mbi 50 vjet, pra numri i pacientëve është mbi moshën 50 vjeçare ajo që është problematike në Kosovë dhe vazhdon të mbetet është se kemi raste ndër moshën 50 vjeçare ku sëmundja është me stade të avancuara dhe kur pacientët lajmërohen vonë për me marrë trajtimin adekuat”, thotë Kurtishi.
Për Kurtishin shqetësuese mbetet fakti që mbi 50 për qind e rasteve me kancer që lajmërohen në klinikë për herë të parë, janë në stade të avancuara të sëmundjes.
“Me thënë të drejtën pasi që sot me kancer të gjirit ne i identifikojmë dhe i kemi identifikuar vitin 2023 rreth 50 për qind të rasteve në stadin e parë dhe të dytë kjo fal një përkushtimi të madh edhe të stafit të Onkologjisë por edhe shoqatave joqeveritare që merren me intervenim dhe ngritjen e vetëdijes e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit të cilët kanë sensibilizuar në masë të madhe femrat në Kosovë dhe kanë sensibilizuar në bërjen e mamografive dhe ultrazërit sidomos te femrat pas moshës 40 vjeçare por kjo nuk mjafton, duhet të bëhet edhe më shumë dhe shpresojmë se këtë vit ose vitin tjetër nëse fillohet me programet nacionale të skeningut ne mund të i gjejmë sëmundjet e gjirit dhe sëmundjet e tjera të cilat do të jenë në stade shumë më të hershme kur mjekimi do të jetë shumë i mirë”, deklaroi Kurtishi.