57 deputetët e pushtetit i lënë qytetarët pa tërheqjen e Trustit të propozuar nga opozita
Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta miratojë sot Projektligjin që do të mundësonte një tërheqje të sërishme të kursimeve nga Trusti. Nismës së propozuar nga deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, i dolën kundër 57 deputetët e pushtetit, derisa përkrahje i dhanë 44 deputetët e opozitës. Votimit i paraprinë diskutimet disa orëshe, e kohë pas kohe edhe përplasjet. Gazeta Online Reporteri.net ju sjell një përmbledhje të seancës, ku ndër të tjera u votua edhe për tërheqjen e Trustit.Deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën sërish sot, pasi dje Kryeparlamentari Glauk Konjufca mbylli punimet e seancës në mungesë të kuorumit.Një prej pikave të rendit të ditës të seancës së djeshme ishte edhe hedhja në votim e Projektligjit që do t’ju mundësonte qytetarëve të vendit tërheqjen e një pjese të kursimeve nga Trusti. Kjo pikë doli në votim sot.Por, siç edhe pritej, Projektligji s’kaloi. Nga 102 deputetë sa ishin në sallë në momentin kur po votohej, vetëm 44 votuan pro një tërheqje të sërishme. 57 deputetët e pushtetit dolën kundër kësaj nisme, e një abstenoi.Në shenjë pakënaqësie, opozita lëshoi sallën e Kuvendit të Kosovës.Para se ky projektligj të hedhej në votim, deputetët dhanë pikëpamjet e tyre për këtë çështje me orë të tëra.Secili nga deputetët e opozitës, mundohej të bindte ata të Vetëvendosjes që të votonin pro.I pari që mori fjalën ishte deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, i cili ishte edhe propozues i këtij projektligji.Ai ftoi deputetët, pa dallim partie, që ta miratojnë projektligjin në fjalë, duke thënë se është kërkesë që buron nga qytetarët.“Kërkesa buron nga qytetarët dhe ne si deputetë duhet ta mbështesim këtë projektligj pa dallim partie. Duhet të votojmë për kërkesat e qytetarëve. Qytetarët që nga fillimi i vitit 2020 janë duke u përballë me kriza të njëpasnjëshme. Njëherë pandemia, pastaj kriza energjetike dhe tash kriza ekonomike”, ka thënë Haxhiu”, tha Haxhiu.Më pas, fjalën e mori deputeti i VV’së, Armend Muja, si Kryesues i Komisionit për Buxhet Punë dhe Transfere, i cili tregoi pse ky komision nuk rekomandon votimin e këtij projektligji.Muja tha se propozimi që nënkupton tërheqjen e 594 milionë eurove është ndërtuar në favor të 5 përqind të kontributdhënësve të cilët do të përfitonin më së shumti nga tërheqje e mjeteve, shkruan Reporteri.net.Ai ka thënë se si Komision duhet të ndalojnë edhe përmes intervenimeve ligjore përpjekjet për të shkatërruar Fondin Pensional.Muja po ashtu ka potencuar se Kosova vazhdon të ketë performancë të mirë ekonomike dhe se janë krijuar 25 mijë vende të reja pune.“Tregu i punës është stabilizuar, vendet e prekura të punës gjatë pandemisë janë kthyer, janë hapur edhe 25 mijë vende të punës. Kosova vazhdon të ketë performancë të mirë ekonomike. Ky propozim nënkupton të tërhiqen 594 milionë euro. Ky propozim është ndërtuar në favor të 5 përqind të propozuesve që i kanë punët mirë.Masat e propozuara nga qeveria prekin një grup më të madh përfituesish. FMN dhe Banka Botërore kanë kundërshtuar fuqishëm këtë propozim. Ne si Komision duhet të ndalojmë edhe përmes intervenimeve ligjore përpjekjet për të shkatërruar fondin Pensional. Ato janë të obligueshme për të gjithë qytetarët dhe mund të tërhiqen vetëm pas moshës 65 vjeçare”, u shpreh Muja në seancën e Kuvendit.Pas Mujës, fjalën e mori Shefja e Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari-Lila.Kusari tha para deputetëve se u bënë disa muaj që ky Projektligj po trajtohet nga individë të caktuar me plane e kërcënime, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.Tutje shefja e grupit parlamentar të VV-së tha se tërheqja e 30% të Trustit lë pasoja të mëdha, pasi me të do ketë rritje të çmimeve, pasi Trusti është mekanizmi i vetëm që ofron një rrjetë mbrojtëse për shtetin.
“U bënë disa muaj prej kur filloi të trajtohej me pasion e presion, plane e kërcënime ideja e Terheqjes 30% të Trustit. Në të gjitha diskutimet tona kanë mbizotëruar emocionet dhe parashikimet individuale. Kur u tërhoqen 10% ishte periudha e pandemisë, kur nuk dinim se çfarë do bëhej në vazhdim. Propozimi për 30% të Trustit pas lënë shumë pasoja tjera. Asnjë nga pasojat qe prodhon ky proces nuk e ka marrë vëmendjen e duhur ne diskursin publik. Rreth 90% kanë kursime me më pak se 10 mijë euro. Tërheqja e këtyre fondeve në shumë nivele ndikon në rritjen e çmimeve. Është mekanizmi i vetëm që ofron një rrjetë mbrojtëse për shtetin, përfshirë këtu moshen e tretë. Nuk e mbështet propozimin, por qëndron me qytetarët për të gjetur zgjidhje për të kaluar krizën aktuale”, tha Kusari Lila.Ishte Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës , ai i cili konsideroi se “është e domosdoshme tërheqja e një pjese të Trustit”, duke shtuar se “kjo është kërkesë ekskluzive dhe nevojë e qytetarëve”.Ai u kërkoi deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ta votojnë Projektligjin për Trustin, duke shtuar se “për kodin Civil s’e keni dëgjuar kryeministrin, veproni njëjtë edhe për Trustin”.Qëndrimin e Qeverisë për këtë projektligj e dha vetë Kryeministri Albin Kurti.
Kurti deklaroi se me këtë projektligj rrënohet sistemi pensional i Kosovës.Kryeministri është shprehur se nga tërheqja e Trustit përfitojnë vetë ata që e kanë iniciuar këtë projektligj, shkruan Reporteri.net.“Afër gjyma e kontributdhënësve nuk do të tërhiqnin as 100 euro nga Trusti, por ne ua kemi nda. Unë kam qenë edhe si Qeveri, edhe si opozitë kritik ndaj FMN-së, por kjo nuk do të thotë se kanë për çdo gjë keq. Është shumë gabim që këta 10 përqind që do të ishin përfituesit kryesorë.Janë këta që e kanë sjellë këtë propozim në Kuvend, dhe që po e përdorin edhe rrjetin medial për të manipuluar opinionin. Ata po manipulojnë me konceptin e varfërisë ku nuk bëjnë pjesë vet. Mjetet në Trust janë tonat, njësoj edhe pensionet nuk janë për tash por për kohën kur të plakemi. Nuk mundemi që një problem të përkohshëm ta rrënojmë të ardhmen tonë. Nëse e rrënojmë sot, kur krijohen panika të paqena”, u shpreh Kurti në seancën e Kuvendit. Janë të njëjtit që na kanë sjellë në këtë gjendje dhe po duan që edhe ato pak të mira që kemi ti rrënojnë. Nuk kemi si e mbështesim një nismë të tillë”, tha Kurti.
Më pas, Kurti u tallë me propozimin e deputetit Haxhiu.
“Vetëm një person doktoraturë në Fizioterapi e ka vetëbesimin që të propozojë diçka kaq të madhe në ekonomi”, tha Kurti.
Kësaj deklarate i reagoi kreu i PDK’së, Memli Krasniqi.
“Kryeministër kurgjo nuk the, sepse me mjeshtrin tënde konfliktuale u mundove me e kthy në personale. Qytetarët presin me ju tregu pse nuk po e lejon. Po ju thua se po ia ban dertin kur të dalin ata në pension pas 30 vitesh, por t’i duhesh me ua bajtë dertin me problemet që përballen sot. 37 vjet osht mosha mestare, janë tatimpagusit mestar në Kosovë. Po ti lejo që ata 96% të njerëzve, ato pak mjete që i kanë t’i tërheqin që të përballen me krizën që po kalojnë. Nuk rrënohet fondi me 15%. I ke rahatu fëmijët me 10 euro në muaj, por prindërit e tyre çka me bo, fermerët poashtu, pra mos fol në emër të tyre se nuk i ke takuar”, tha Krasniqi.
Deklaratës së Kurtit se nga tërheqja e Trustit përfitojnë milionerët, i reagoi Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Ai tha se Kryeministri Kurti është mjeshtër i manipulimit të opinionit publik me intelegjencën e tij, dhe se nuk po shihet rritja ekonomike që Qeveria po e përmendin vazhdimisht, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“A bën me të pyet pse nuk u rrënua Fondi Pensional kur u tërhoqën 10%. A është po i njëjti fond këtu. Në qoftëse mendoni që situata është e tille, që të numëroni në vend dhe të mos merrni asnjë vendim, është gabim. A bën me ma tregu atë rritje ekonomike që ju po e përmendni ju. E dimë që pensioni shfrytëzohet në pleqëri, por ju nuk keni zotësi me ndihmu këtë vend në këtë krizë. Kam pritur nga ti me dhënë alternativë, e jo me e kundërshtu pa e dhënë asnjë alternativë të vetme, por të thuash se Kosova është në situatë ku me këtë rrënohet Fondi Pensional, është hipokrizi. Kërkojë nga ju, të reflektoni për gjendjen ekonomike në vend, e cila është jashtëzakonisht e keqe. Keni thënë përfitojnë milionerat, por ata nuk janë në zor për Trust, por për Trust janë në zor ata zyrtarë publik, e punëtorët e sektorit privat të cilët dojnë me i mbyll disa probleme që i kanë”, tha Tahiri.
Fjalën e mori edhe deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, e cila tha se për inate personale nga partia në pushtet nuk po lejohet tërheqje e kursimeve nga Trusti.
Musliu e ka akuzuar kryeministrin Kurti për ndërrim të qëndrimeve të cilin e ka quajtur “egoist të paparë dhe gënjshtar”.
“Qeveria ende nuk e ka kuptuar se për të qeverisur me një vend duhet të përballësh me çdo sfidë, do të thotë të jesh në shërbim të qytetarëve jo t’i keqpërdorësh ata. Ai është Albin Kurti i cili për të ardhur në pushtet, qëndrimet e veta i mbështolli me demagogji. Ju që e sollët në pushtet këtë egoist të paparë, duhet ta keni kuptuar se i besuat një gënjeshtari. Pa i llogaritur të gjitha dëmet që i solli Kosovës, nuk mund të mos e përmend që marrëveshjen që e quajti tradhti dje doli dhe e prezantoi në Kuvend. Pa Albin Kurtin kjo marrëveshje do të nënshkruhej para 7 vitesh. Për inate personale po lejohet kërkesa e qytetarëve për të tërhequr një pjesë të vogël të mjeteve”, tha Musliu.
Musliu tutje u ka bërë thirrje deputetëve të VV-së që të mos e dëgjojnë partinë dhe të votojnë pro këtij projektligji.
“Ju drejtohem deputetëve, merrni guximin e thoni PO për Trustin”, tha Musliu.
Kah fundi i seancës, para se të hidhej projektligji në votim, deputeti Bekim Haxhiu e mori sërish fjalën, e iu kthye Kurtit për punën e doktorraturës.
Tha se e njeh Kurtin qysh kur kanë qenë studentë, e sot ai ka PhD, e Kurti është vetëm me studime themelore.
“Për mua që e njoh Albin Kurtin që nga Unioni i Studentëve të vitit 1997, të dy atëherë studentë, unë sot me PhD, ky me studime themelore, e kuptoj qëllimin e tij, që është tensionimi, polarizimi për me blloku një kërkesë të qytetarëve”, tha Kamishi, derisa dha arsyet për ta votuar këtë projektligj.
Ndryshe, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dalë fuqishëm kundër iniciativës për tërheqjen e 30 përqind të kursimeve nga Trusti.
Sipas FMN’së, tërheqjet shtesë nga fondi i kursimeve private pensionale (TKPK), do të përbënin goditje të rëndë në qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve dhe do të reduktonin ndjeshëm vlerën reale të pensioneve të ardhshme, shkruan Reporteri.net.
“Stafi i FMN-së shprehi kundërshtimin e fortë për tërheqjet shtesë nga fondi i kursimeve private pensionale (TKPK) meqë këto do të përbënin goditje të rëndë në qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve dhe do të reduktonin ndjeshëm vlerën reale të pensioneve të ardhshme. Gjithashtu, këto tërheqje do të përktheheshin në ngjeshje të madhe të tregjeve vendore të kapitalit, duke kompromentuar seriozisht financimin buxhetor dhe qëndrueshmërinë e borxhit.”. thuhej në komunikatën e FMN’së të lëshuar para një jave.
Propozimi për tërheqjen deri në 30 për qind të mjeteve nga Trusti, ka ardhur nga Partia Demokratike e Kosovës.
Sipas këtij propozimi, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.
Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.
Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.
Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi./Reporteri.net