Turqia nënshkruan marrëveshje me BioNTech për deri në 30 milionë doza të vaksinës për COVID-19
Turqia ka nënshkruar një marrëveshje me BioNTech, firma gjermane prapa vaksinës së coronavirusit me bazë mRNA, për deri në 30 milionë doza të vaksinës, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca në një postim në Twitter.
Sipas mediave turke, përcjell Telegrafi, stoku aktual qëndron në 550,000 doza dhe Turqia do të marrë 4.5 milionë doza në fund të marsit, ka bërë të ditur Koca.
“Sipas marrëveshjes sonë, deri në 30 milionë doza do të sigurohen në të njëjtat kushte”, ka shtuar ai.
Koca zbuloi gjithashtu arsyen e vonesës në marrëveshjen midis Turqisë dhe kompanisë.
“Arsyeja e vonesës ishte fakti që prodhuesi nuk pranoi asnjë përgjegjësi në lidhje me problemet e mundshme që mund të lindin nga prodhimi”, tha ai, duke shtuar se mosmarrëveshja u zgjidh më vonë.
“Qytetarëve që do të dëshironin të merrnin një dozë do t’u kërkohet një pëlqim”, ka thënë më tej ai.
Vaksina e BioNTech, e zhvilluar së bashku me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer, është e autorizuar për përdorim në më shumë se 45 vende, përfshirë Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe në Bashkimin Evropian.