Përmbytjet në Kosovë – Evakuime të familjeve, rrugë të pakalueshme e vetura që “notojnë” në ujë

0

Familje nëpër komuna të ndryshme të Kosovës po kërkojnë të evakuohen nga shtëpitë e tyre tashmë të dëmtuara nga shiu e bora që ra në dy ditët e fundit në Kosovë, e që shkaktuan vërshime të mëdha.

Një nga këto familje vjen nga Malisheva ku komuna ka intervenuar, por që nuk janë dhënë detaje më të hollësishme.

Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësi i kësaj komune, Artan Paçarizi, i cili tutje njoftoi edhe për gjendjen e rënduar nga vërshimet në këtë zonë, për çka thotë se dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme.

https://tinyurl.com/y4tkrgmb “Shtabi emergjent e ka vlerësuar si tejet të rënduar gjendjen në terren. Disa rrugë dhe ura janë mbuluar nga uji, ndërsa ka dëme të konsiderueshme në sektorin e biznesit privat, pasi uji ka depërtuar në disa lokale afariste në qytetin e Malishevës dhe në vendbanime tjera, e po ashtu uji ka depërtuar edhe në disa shtëpi private. Si rezultat i kësaj situate, ka kërkesa për evakuime dhe strehim të përkohshëm të familjeve. Momentalisht është duke u intervenuar në një familje, për detaje tjera do të ju informojmë në ndërkohë”, thotë Paçarizi.

Një tjetër familje që ka kërkuar ndihmë në këtë aspekt, vjen nga komuna e Podujevës, largimin e të cilëve nga shtëpia e ka bërë Brigada e Zjarrëfikësve në koordinim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i komunës, Fatri Zhitia, i cili tutje thotë se ka vështirësi edhe në qarkullim të disa prej rrugëve.

“Deri tash e kemi një familje të evakuar në komunën tonë, largimin e tyre nga shtëpitë e tyre e ka bërë Brigada e Zjarrfikësve në koordinim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim”, ka thënë ai për redaksinë.

“Gjendja e rrugëve është e vështirësuar, të gjitha ekipet kanë dal në terren për të mundësuar qarkullimin e lirshëm rrugor. Në tri lokalitete kanë vështirësi në qarkullim në fshatin Bellopojë, Siboc i Poshtëm dhe Lluga”, ka thënë Zhitia.

Nga vërshimet nuk ka mbetur pa u prekur as Mitrovica Jugore, ndonëse situata atje është më stabile.

Kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri, tha për Insajderi-n se sonte pritet të dalë nga shtrati Lumi Sitnica, por që shtoi se kanë marrë masat e nevojshme për t’i parandaluar vërshimet.

“Deri më tani nuk kemi asnjë rrugë të pakalueshme. Gjendja është kryesisht e mirë. Sonte pritet të dalë nga shtrati Lumi Sitnica, zakonisht në Mitrovicë vjen një ditë më pas dhe i kemi marrë të gjitha masat që të mos shkaktohen vërshime dhe ta parandalojmë most ë dalë nga fshati. Pak më herët kisha një takim me Këshillin Emergjent dhe aktualisht nuk kemi ndonjë të dhënë për vlerën e dëmeve”, Bahtiri.

Edhe kryetari i komunës së Ferizajt është deklaruar rreth situatës së krijuar nga kjo gjendje në këtë zonë. Ai thotë se përveç bllokimit të disa rrugëve kryesisht nëpër fshatra, dëme nuk ka pasur nëpër hapësirat e banueshme.

“Kemi dy-tri raste ku kemi pasur edhe bllokim të disa rrugëve, janë rrugë fshati. Është rruga në segmentin Ferizaj-Prishtinë, në fshatin Prelez i Jerlive, ku zakonshëm ndodhin vërshimet për shkak edhe të disa problemeve që janë shkaktuar nga punët e ndryshme që janë zhvilluar aty, por tashmë është edhe një kontratë me BERZH-in ku në kushtet e përshtatshme të fillojë realizimi i projektit dhe ai do t’i zgjidhë të gjitha këto telashe”, ka thënë ai.

“Është fshati i vjetër në segmentin rrugor Ferizaj-Gjilan, ku për shkak të një ndërhyrje joadekuate, praktiikisht ka shkaktuar një dëm i cili është kthyer në një mbyllje të kanalit ku nuk është ka pasur mundësi të largohet sasia e breshërit dhe ujit në këtë rast”.

“Nuk ka pasur familje që kanë kërkuar evakuim, meqë zakonisht ka ujë në bodrumet e shtëpive të tyre, por jo në hapësirat e banueshme”, ka thënë Aliu.

Në disa zona vërshimet kanë shkatërruar krejtësisht rrugët duke ua bërë të pamundur qarkullimin banorëve, madje disave prej tyre uji u ka hyrë edhe në bodrumet e shtëpive, duke ju shkaktuar dëme të konsiderueshme në pronat e tyre.

Në komunën e Drenasit vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha, ndërsa deri tani janë evakuuar gjashtë familje.

Zëdhënësi i kësaj komune, Bekim Dobra, tha për Gazetën Online Insajderi se, për shkak të situatës së krijuar, komuna ka formuar Qendrën Operative Emergjente.

“Aktualisht ekipet emergjente janë në teren. Deri më tani kemi avakuuar gjashtë familje të cilat kanë qenë më të rrezikuara nga reshjet e shiut që kanë qenë të pandalshme që nga mbrëmja e së dielës. Gjendja nuk është aspak e mirë. Kryetari e ka formuar edhe Qendrën Operative Emergjente, që janë të përfshira si FSK-ja me dy grupe, shërbimi I zjarrfikësve dhe qytetarët”, tha ai.

Tutje, Dobra shtoi se aktualisht dy rrugë janë të pakalueshme, ndërsa të tjerat kanë vështirësi për qarkullim.

Pas reshjeve të shiut e borës, edhe Klina po përballet me vërshime në disa pjesë.

Udhëheqësja e Zyrës për Informim në këtë komunë, Samije Gjergjaj, tha për Insajderin se gjendja me përmbytjet nuk është aspak e mirë, madje ajo tha se edhe shtëpia e saj është përfshirë nga uji, me ç’rast i është pamundësuar dalja në punë.

“Sot nuk kam dalë fare në punë sepse edhe shtëpia ime është përfshirë nga uji. Gjendja nuk është aspak e mirë. Ka familje të cilat kanë kërkuar të evakuohen për shkak se janë të rrezikuar. Bëhet fjalë për banorët e fshatit Shtupel, të cilët kanë mbetur të bllokuar pasi që rruga është e pakalueshme”, ka thënë ajo.

Tutje, Gjergjaj njoftoi se kryetari i komunës, Zenun Elezaj, ka dalë në teren për ta monitoruar gjendjen dhe se ka krijuar edhe Shtabin Emergjent për t’u dalë në ndihmë banorëve.

Përveç këtyre zonave, Insajderi ka raportuar se vërshime gjatë së hënës ka pasur edhe në Shtime (ku deri tani është evakuuar një familje), Kamenicë, Fushë Kosovë e Suharekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *