ANALIZË: U.D. Presidentja ka shpallur zgjedhjet në kundërshtim me Kushtetutën

0

    Një lëshim procedural si rezultat i moszbatimit të Kushtetutës dhe të procedurës Kushtetuese, përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese përmes të cilit ajo konstatoi pavlefshmërinë kushtetuese të Qeverisë Hoti, rrezikon që zgjedhjet e parakohshme të shpallura me vendimin Nr. 02/2021, për datën 14 shkurt 2021, të anulohen, në rast se një grup i deputetëve i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe kërkojnë që dekreti i U.D. Presidentes të shpallet jokushtetues.Nuk është kontestues fakti se në mesin e kompetencave të Presidentit të Republikës së Kosovës është edhe shpallja e zgjedhjeve. Mirëpo, ky autorizim kushtetues mund të realizohet vetëm nën kushtet dhe procedurat e parapara me Kushtetutë. Për dallim nga zgjedhjet e rregullta të cilat mbahen në fund të mandatit të rregullt legjislativ, zgjedhjet e parakohshme paraqesin një situatë të jashtëzakonshme e cila paraqitet si rezultat i ndërprerjes së parakohshme të mandatit katër (4) vjeçar të legjislaturës. Pra kur përmbushën kriteret e nenit 82 të Kushtetutës për shpërndarjen e Kuvendit nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Sipas paragrafit 1 të këtij neni, Kuvendi shpërndahet nëse brenda afatit prej 60 ditësh pas fillimit të procedurës dështon zgjedhja e Qeverisë, nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve të Kuvendit dhe në rastin e tretë kur brenda afatit 60 ditësh pas fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit nuk arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë.

Në këto tre raste, por edhe në atë sipas paragrafit 2 kur shpërndarja e Kuvendit vjen si rezultat i votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, shpalljes së zgjedhjeve i paraprinë shpërndarja e Kuvendit. Për shpërndarjen e Kuvendit kërkohet dekret i veçantë derisa zgjedhjet shpallen me vendim, ose kjo mund të paraqitet si pikë e veçantë, e të njëjtit dekret. Mirëpo pavarësisht aspekteve teknike, shpërndarja e Kuvendit si pasojë e një dekreti nga Presidenti realizohet vetëm pasi ai akt juridik të ketë hyrë në fuqi sipas procedurave Kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *