Ish-komandanti i UÇK-së në Koshare: Aktakuzat nga Serbia e kanë për qëllim rrënimin e shtetësisë së Kosovës
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare Hisen Berisha, ka komentuar publikimin e propozim-aktakuzës ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, nga Zyra e Prokurorit Special të Dhomave të Specializuara.
Berisha në rubrikën Sytë 7 në Klan Kosova tha se që 20 vjet ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë përballur me pengesat e çarqeve serbe.
“Nuk na ka befasuar sepse ka që 20 vjet që ne jemi përballë me deklarata të ndryshme jo vetëm të çarqeve të brendshme por edhe ato të Serbisë. Pengesa për anëtarësim në Interpoll. Fletarrestet e dërguara në Interpoll, arrestimi i njerëzve. Gjuha e cila është përdorur në institucione tona, akuzimi i ndërsjell, deklaratat e individëve se do të jenë dëshmitarë në proceset të ndryshme. Për ata që mendojnë në mënyrë racionale i bëjnë të jenë të pritshme, por jo në formën dhe momentet kritike Pastaj goditje në nivelin e presidentit, në momentin kritik që u bë me datë 24 ku do të bëhej edhe përmbyllja e shtetndërtimit. Prandaj kjo krijon një debat dhe një ndjenjë të keqe se çka do të arrihet pas kësaj”, tha ai.
Berisha theksoi se raporti i senatorit zviceran Dick Marty, është tërësisht i pasaktë.
“Jo nuk e kam pritur në këtë moment. Kam pritur se secili ushtar i UÇK-së do të jetë pjesë e raportimit të Dick Martyt, që do të bëhet si pasojë e deponimit të informacioneve të prokurorëve serb dhe të ndonjë mjerani tonë këtu pari. Ky raport ka shumë pasaktësi, ose mos të them që është tërësisht i pasaktë. Pastaj ndërlidhen në këtë edhe raportet që ai ka me inteligjencën ruse dhe serbe”, tha ai.
“Një ditë edhe vet Marty duhet të përballet ne drejtësinë, jo për ndonjë krim që mund të vërtetohet por për dëmin që i ka shkaktuar shtëtësisë së Kosovës në nivel ndërkombëtar dhe diplomatik”.
Ish-komandanti i UÇK-së në Koshare shtoi aktakuza ka gabime procedurale.
“Ju e keni parë që kjo aktakuzë ka gabime procedurale dhe do të bie, por ne duhet të bëjmë Nuk besoj që ka ndonjë njeri që ka pak njohuri juridike që është ndesh me procedurat, praktikat juridike që njihen tashmë. Krahas hedhjes së kësaj, unë mendoj edhe pres që të largohen edhe shkelësit e procedurave”, tha Berisha.
Sipas tij presidenti Hashim Thaçi, në adresimin e tij që i bëri qytetarëve dha mesazhe që e tejkaluan edhe atë si individ.
Hisen Berisha, ndër të tjera tha se këto akuza para vendosjes së drejtësisë e kanë për qëllim rrënimin e shtetësisë së Kosovës.
“Presidenti i dha mesazhet e veta. Ai e ka pranuar si të tillë. Unë i kam nxjerrë dy mesazhe që kanë një domethënie të madhe dhe që ai e tejkalon edhe vetën. Njëra nga ato është se Individi qoftë edhe presidenti është më i vogël se vet shteti i Kosovës për të cilën është sakrifikuar shumë. E dyta është se neve nuk na lejohet të devijojmë nga kursi shtetëror dhe nuk duhet të heqim dorë nga përballja me këto akuza të Serbisë. Po ashtu presidenti e ka thënë që nëse aktakuza konfirmohet ai do ta lirojë zyrën e tij. Por, këto akuza para se gjithash para vendosjes së drejtësisë kanë për qëllim rrënimin e shtetësisë së Kosovës”, tha ai.