Nga 147 mostra pozitive me COVID-19, mbi 97 për qind me variantin britanik, Qeveria arsyeton masat e reja
Varianti më i përhapur i COVID-19 në Kosovë është ai britanik, prandaj edhe kërkohet të minimizohet ekspozimi ndaj COVID-19, thuhet në propozimin për masat e reja antiCOVID në Kosovë, i cili pritet të miratohet sot.Ministria e Shëndetësisë në arsyetimin për masat e reja antiCOVID ka thënë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka testuar edhe 147 mostra pozitive me COVID-19, për të detektuar variantin britanik dhe atij të Afrikës së Jugut, prej të cilave 97.27 për qind ishin variant britanik, ndërkaq asnjë nuk ishte variant i Afrikës së Jugut. Kështu thuhet në pjesën e arsyetimit të Ministrisë së Shëndetësisë për masat e reja antiCOVID në Kosovë. “IKSHPK ka testuar me Real Time PCR 147 mostra pozitive me SARS CoV-2 për detektimin të varianteve britanik B.1.1.7 dhe atij të Afrikës së Jugut B.1.351. Këto mostra ishin pranuar nga të gjitha rajonet e Kosovës dhe të cilat kishin rezultuar pozitive në SARS-CoV-2 gjatë ditëve të fundit. Nga numri total i mostrave të testuara, 97.27% e tyre ishin me variantin britanik dhe asnjë me variantin e Afrikës së Jugut”, thuhet në këtë propozim, Ndërkaq tutje thuhet, “prandaj kjo situatë ku varianti britanik është më së shumti i përhapur, kërkon që të minimizohet sa më shumë ekspozimi ndaj COVID-19 dhe të ngadalësohet përhapja e tij, në mënyrë që kapacitetet e shërbimit spitalor të jenë të përballueshme dhe të menaxhueshme”.