Çaste poetike me poeten;-Manushaqe Hoxha LAÇI

Sërish unë

——————-

Më ngritën shumë gjyqe, para se t’më njihnin,

me fjalë të ftohta, me sy që s’pranonin dritë;

më matën nëpër skanerë, që mua s’më shihnin,

e më vendosën emra, që s’i përkisnin timit shpirt.

Më panë sipas paragjykimeve, përmes trillimit,

më deshën të heshtur, pa zë, të dorëzuar;

por unë eca me dinjitet t’pastër, si uji i burimit,

jo ku donte t’më shtynte turma, si uragan i tërbuar.

Me gurët që m’hodhën, rrugë të reja shtrova,

por s’u bëra jehonë e zhurmës pa fytyrë;

me hapa të sigurtë rrugëtimin tim vazhdova,

se lisat s’gjunjëzohen e s’debatojnë me stuhitë.

Sa t’u mjaftojë fryma le t’më gjykojnë,

me xhamin e vet secili sheh çdo ngjyrë;

veç ndërgjegjen time kurrë s’e lëndojnë,

se e vërteta ime s’ka nevojë për pasqyrë.

S’kërkova duartrokitje, krenare për t’jetuar,

për të qenë vetvetja s’prita miratim;

se qetësia është përgjigjja që u kam dhuruar,

kur zhurma kot lodhet duke m’gjykuar gabim.

Dhe kur të shuhet jehona e çdo gjykimi,

do të mbetet vetëm udha që kam kaluar;

e pastër në ndërgjegje, pa brengë pendimi,

se jetën time denjësisht e kam jetuar…

/QendraPress/