Poezi te arta nga poeti i madh- Gezim Ajgeraj
A MUND TË THEMI
A mund t’i japim nota pozitive poezisë në vargje
E ta ngremë në pentagramin e bukurisë të këndoj
Tanimë kur fjala përgjithësisht është mbytur në halle
E liga në shoqëri kur gjithçka të bukur e kontaminoi
A mund të themi se gjithçka e bukur po sillet rreth saj
E ta gëzojmë me bukurinë e kënaqësinë e kësaj kohe
Tani kur shumëçka e ka humbur kuptimin, boja i ka dalë
E shëmtia e gjërave hapësirat e bukura kudo i ka vrarë
A mund të themi se shija e fjalës ende ka lezet
E ta ngremë mbi podiume e foltore ku shumëkush përralla na flet
Tanimë kur copëtimi i shoqërise asgjë nga politika e fjalës s’i ka mbetë
E shëmtia e saj edhe bukën në sofër na kanë copëtuar, medet!
A mund të themi se fjala e mirë na e gëzon shoqërinë
E me bukurinë e saj gëzojmë shokë, miq e të tjerë
Në këtë kohë, kur smira e inati e grinë respektin e dashurinë
E bukuri e saj, jo vetëm veshin, po edhe syrin i mbushë me vrer
A mund të themi se ka mbetur hapësirë e bukuri për fjalën
Që lirshëm të frymojë ajo e me të sheshe e qytete të gëzojë
Është zonjë e rëndë fjala s’duhet t’ia ndijë për halle
Ajo këngën kurrë s’duhet ta ndalë, po punë e madhe kush e do o s’e do
TË JESH SHKRIMTAR PROVINCASH
Është fat i keq të jesh shkrimtar provincash
A të krijosh në një kohë përplot zallahi
Ku atje te sheshi, emrit t’i hedh dikush një grusht mizash
Dhe për penën tënde të vlerësojë ndonjë bari
Dikush ia mbathe thumbat e dikush tjetër patkonjtë
Tjetri të vë një barrë intrige e kush plasë derisa ta ngarkosh
Dhe në vend të krenarisë apo edhe të respektit
Të bëjnë të marrë, bile edhe ndonjë gomar qyteti
Të jesh shkrimtar province është fat i ligë
S’di kujt t’i dhurosh libër bënë mirë ose gabim
Nëse do të gëzohet për libër ose i ndjellë zilinë
Ma vonë do ta marrësh vesh vlerësim apo zemërim
Me qirinj e me pishë edhe po të kërkosh
një mendim të mirëfilltë arti kund s’ke për ta gjetur
Por një mal përplot me inate të hedhin në kosh
E mbi emrin tënd ferra kanë për të të mbjellë
Të jesh shkrimtar provincash edhe po të jesh yll
Të kesh bërë një bjeshkë librash sikur në ëndrra të jesh
Të jesh ngjitur në hënë a në ginis të kesh hyrë
S’të njeh kush vlerën, fjalën e mirë dot s’e nxjerr
Të jesh shkrimtar province është e kotë të presësh
Respektin e vlerën kush të ta çmojë
Ndoshta në botën tjetër e pasi që të vdesësh
Na rroftë provinca smiranë të lulëzojë!
2020
VERTIKALJA
Ti ece vertikales së atdheut
Andej kah jeta me vdekjen piqeshin çdo ditë
Pa çka se pikëpjekja me ujkun e zi
Ishte fundi i kobit
Ti asnjëherë s’i mbylle dritaret e shpresës
të të mos frymojë më guximi
Përkundrazi, përpara syve të kobit
Shpërndave rrezet e dritës për të nesërmen
S’të theu asnjë furtunë
Ecjes tënde drejt diellit
maj, 2020