Paralajmërohet valë e re e koronavirusit, në Kosovë!
Infektologu Ilir Tolaj në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se nëse nuk bëhet vaksinimi më shpejtë i popullatës atëherë është e mundur që vendi të përballet me valë të re të pandemisë deri në fund të vitit. Sipas tij, në Kosovë një numër jashtëzakonisht i madh i qytetarëve e kanë kaluar Covid-19, prandaj edhe situata ka qenë më e menaxhueshme në krahasim me vendet e tjera të rajonit.“Në Kosovë është e vërtetë që e kanë kaluar një numër jashtëzakonshmit i madh i njerëzve sëmundjen. Rrjedhimisht me këtë kanë një imunitet të caktuar. Mu për këtë arsye edhe situatën e kemi pasur më të kontrolluar sesa shumë vendet në rajon”.“Nëse do të kishim pasur sukses që deri në muajt e verës t’i vaksinonim 500 mijë njerëz, atëherë mendoj që pjesa tjetër e vitit do të ishte plotësisht e lirë vetëm me raste sporadike të Covid-19. Nëse vaksinimi nuk bëhet me një shpejtësi atëherë është e mundur që të kemi sërish një ballafaqim me Covid-19 dhe pandeminë deri në fund të vitit”.Sipas Tolajt, diaspora nuk ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve as nuk do të ndikojë në këtë drejtim ardhjen e tyre gjatë verës. “Nuk ka ndikuar ardhja e diasporës në Kosovë as vitin e kaluar as gjatë verës dhe as gjatë pushimeve të fundvitit. Prandaj nuk pres që do të ndikojë këtë herë”.Mes tjerash, ai theksoi se janë vërtetuar një varg problemesh të shëndetit mendor të cilat mund të jenë edhe afatgjata si: koncentrimi më i vogël, depresioni, harresa dhe çrregullimet e gjumit.“Janë vërtetuar një varg problemesh të shëndetit mendor të cilat mund të jenë edhe afatgjata dhe për të cilat janë shumë të thirrur të flasin profesionistë të kësaj fushe. Por po vërtetohet që me muaj të tërë Covid-19 ka lërë probleme në kuptim të koncentrimit më të vogël, të depresionit, të harresës, të çrregullimeve të gjumit e shumë aspekte tjera të cilat me siguri do të duhet të trajtohen në mënyrë adekuate që këta njerëz të mos kenë pasoja të vazhdueshme për një kohë më të gjatë”.“Përballja me një rrezik të tillë siç është pandemia i cili është rrezik masiv atëherë lërë një traumë serioze në personat edhe ata që kanë kaluar Covidin edhe ata që nuk e kaluar Covidin dhe ky stres postraumatik mund të ketë pasoja të vazhdueshme për një kohë të gjatë”, tha ai.