Mbi 1 milion bashkatdhetarë erdhën në Kosovë, shpenzuan rreth 500 milionë euro
Bashkatdhetarët që kanë ardhur këtë verë në Kosovë, sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare, kanë shpenzuar rreth gjysmë miliardi euro.Ani se të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës për remitenca më të fundit janë vetëm deri në muajin maj, sipas ekspertëve që i kanë bërë këto hulumtime, thuhet se të hollat e derdhura në forma të ndryshme janë një infuzion për ekonominë e Kosovës, sidomos në kohë të pandemisë.
Sihana Bejtullahu nga Organizata joqeveritare “Germin”, organizatë kjo që merret kryesisht me çështje të diasporës, thotë se shpenzimet e bashkatdhetarëve gjatë sezonit të verës arrijnë shifrën e 500 milionë eurove.
Derisa sipas Bejtullahut, numri i bashkatdhetarëve që kanë hyrë në Kosovë këtë sezon vere, është mbi 1 milion.“Ne jemi në procesin e analizimit të të gjitha të dhënave, qoftë atyre të hyrje daljeve gjatë kësaj periudhe të verës me prani të diasporës, e po ashtu duke përfshirë edhe fushën financiare, ku rreth 500 milionë euro llogaritet të kemi gjatë kësaj kohe, por shumë shpejt do të dalim edhe me të dhënë përfundimtare. Ajo çka është e rëndësishme të theksohet është që përveç anës financiare, prania e tyre është edhe vazhdim i mbajtjes së lidhjeve me pjesëtarë tanë që i kemi në diasporë me vendin amë. Mendojë që është një aset shumë i rëndësishëm që mund të zhvillohen programet dhe projekte të tjera të cilat do të ndikonin në zhvillimin edhe të mëtutjeshëm të vendit”, thekson ajo.Eksperti i ekonomisë Bardh Ahmeti thotë për KosovaPress se remitencat nga diaspora, shpenzimet gjatë qëndrimit të tyre si dhe investimet e ndryshme kryesisht në patundshmëri kanë një peshë të rëndësishme për ekonominë e vendit.“Është kaluar shifra prej 900 milionë euro gjatë vitit 2020, si dhe në këtë vit(2021) gjithashtu është arritur një rekord i fluksit të udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Kjo ka rëndësi për vendin pasi që gjatë muajve të verës rritet konsumi në të gjithë sektorët dhe pa dyshim që bashkatdhetarët kanë vlerë të rëndësishme për ekonominë e vendit. Megjithëse nuk ka diçka zyrtare, mirëpo nëse bëjmë një lexim të situatës janë diku mbi 1 milion mërgimtarë që kanë ardhur në këtë verë, dhe nëse marrim një mesatare të shpenzimeve nga 500-600 ose 400 euro të shumës simbolike, atëherë i bie që diku deri në 500 milionë euro është shpenzimi dhe realisht ato janë konsum që futet si qarkullim në tregun tonë”, thotë Ahmeti për KosovaPress.Përveç shpenzimeve që diaspora e Kosovës bën gjatë sezonit të verës, çdo vit Kosova pranon edhe rreth 1 miliard euro remitenca. Vetëm vitin e kaluar mjetet e ardhura nga diaspora kanë kapur vlerën prej 980 milionë euro.Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi thotë se diaspora ka qenë, është dhe do të mbetet një nga shtyllat e mëdha të përkrahjes dhe zhvillimit të vendit.Fatkeqësisht sipas Krasniqit deri më tani diaspora është përdorë vetëm për remitenca dhe kështu Kosova dhe institucionet e saj nuk krijuan kushte për tërheqjen e investitorëve.“Ka qenë një paaftësi e institucioneve tona në përgjithësi që të krijojmë infrastrukturë ligjore më të mirë që t’i ftojmë diasporën të investojnë, jo vetëm të sjellin ndihma për qytetarët tanë. Në këtë drejtim duhet me urgjencë të madhe, qeveria bashkë me kuvendin t’i ndryshojë ligjet, të krijojë ofertë për të bërit biznes dhe për investime në mënyrë që ne t’i ftojmë ata të investojnë në Kosovë dhe jo të na sjellin vetëm ndihma… Ka kapacitete të jashtëzakonshme nga ana e mërgimtarëve tonë që të vijnë të investojnë, ka edhe vullnet me potencial miliarda euro, që të vijnë të investojnë në Kosovë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur për fajin tonë, jo për fajin e tyre”, thotë ai.Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), Kushtrim Ahmeti thotë për KosovaPress se vlera e remitencave për periudhën janar-maj 2021 është 446.8 milionë euro, e cila është më e lartë për 95.2 milionë euro se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, ku vlera e remitencave ishte 351.6 milionë euro.Ahmeti tregon se shtetet prej nga më së shumti janë dërguar remitencat prijnë shtetet gjermano folëse (Gjermani, Zvicër, Austri), të përcjella nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca.Duke pas parasysh fluksin e lartё tё diasporës gjatë tremujorit të tretë të vitit, Ahmeti thotë se mbështetur në të dhëna tjera të tërthorta, BQK pret qё eksporti i shërbimeve tё udhëtimit kryesisht shpenzime tё diasporёs nё Kosovё tё shënojnë rritje vjetore prej 98.2 pёrqind në vitin 2021, ndërsa rritja e remitencave pritet tё jetё rreth 16.0 pёrqind. /KP/