Kuvendi i Prizrenit mbron UÇK-në

0

Kuvendi i Prizrenit i ka dalë në mbrojtje vlerave të UÇK-së.

Kuvendarët më shumicë votash kanë miratuar një daklarate politike të PDK-së,  në mbështetje të riafirmimit të vlerave të UÇK-së dhe Shtetit të Kosovës.

D E K L A R A T Ë

1. Konfirmojmë qëndrimin tonë dhe bindjen e paluhatshme se lufta mbrojtëse e qytetarëve të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe e përkrahur nga forcat e NATO-së, ishte luftë e drejtë dhe e pastër për çlirimin e Kosovës kundër regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit, forcave ushtarake, policore e paramilitare të Serbisë në Kosovë.

2. Vlerësojmë të paprecedent veprimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të publikuar njoftimin për një aktakuzë të pakonfirmuar nga Gjyqtari i procedurës paraprake ndaj dy prej liderëve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli.

3. Shprehim shqetësimin se ky veprim i Zyrës së Prokurorit të Specializuar përbën edhe shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe është në kundërshtim të plotë me parimin themelor të drejtësisë, atë të prezumimit të pafajësisë.

4. Ritheksojmë se lufta mbrojtëse e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe do të mbetet përherë e tillë. Ajo nuk mund të njolloset asnjëherë. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta çmojë lart bashkëpunimin e institucioneve kosovare dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së me institucionet e drejtësisë ndërkombëtare përgjatë këtyre njëzet vjetëve, përfshirë Dhomat e Specializuara. Në gjithë këto procese është dëshmuar pastërtia e luftës së popullit shqiptar për liri e pavarësi.

5. Njohim dhe vlerësojmë lart sakrificën, angazhimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetur nga NATO, e të udhëhequr nga SHBA-të dhe aleatet e saj, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Solidarizohemi dhe shprehim njëzëri mbështetjen e plotë për z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli, të cilët janë ndër themeluesit dhe udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe shprehim besimin e palëkundur për pafajësinë e tyre.

6. I konsiderojmë përpjekje të padrejta dhe të rrezikshme, por të parealizueshme, tendencat për ta kriminalizuar luftën e drejtë dhe të lavdishme të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Refuzojmë çfarëdo përpjekje për ta etiketuar UÇK-në si agresore;

7. E vërteta për historinë e popullit shqiptar nuk mund të deformohet dhe as të tjetërsohet nga ata që pretendojnë për t’i barazuar viktimat me kryesit e krimeve serbe. Kosovën nuk mund ta dobësojë askush dhe të ardhmen e saj euroatlantike nuk mund ta devijojë dhe as ta ndalë asnjë përpjekje.

8. Si përfaqësues të qytetarëve, të zgjedhur në mënyrë demokratike, bëjmë thirrje për unitet mes njerëzve dhe bashkërendim të angazhimeve ndërmjet partive politike për të ruajtur shtetin e Kosovës, vlerat e luftës dhe pastërtinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *